E Shtunë, 31 Tetor 2026

Krimet e Rënda: Burg për trafikantin e ngarkesës me 211 kile marijuanë

 

TIRANE - Derisa të vërtetohet nëse 211 kilogramë marijuanë e kapur nga policia në një makinë të braktisur ishte apo jo pronë e tij, ai do të qëndrojë në burg. Gjykata për Krimet e Rënda ka dhënë dje masën e sigurisë "arrest me burg pa afat" për Edmond Çaçin, 38 vjeç të akuzuar për trafik droge drejt Greqisë. Në seancën e djeshme për masën e sigurisë ndaj tij, prokurori Behar Dibra i ka kërkuar gjykatës lënien e 38-vjeçarit në burg deri në përfundim të hetimeve. Kërkesa e akuzës është pranuar nga trupi gjykues edhe pse nga përfaqësuesi ligjor i 38-vjeçarit u kërkua një masë më e lehtë. Sipas palës së akuzës, Çaçi ka kryer trafik të lëndës narkotike në drejtim të shtetit grek në kuadrin e një grupi të strukturuar kriminal. Sipas burimeve pranë Gjykatës së Krimeve të Rënda, në seancën e djeshme janë marrë edhe dy masa në mungesë, të cilat nuk bëhen të ditura për arsye hetimi. Edmond Çaçi u arrestua dy ditë më parë nga policia e kryeqytetit. Ai është identifikuar nga uniformat blu pasi është tradhtuar nga shenjat e tij të gishtërinjve të gjetura nga ekspertizat policore në paketimet e lëndës narkotike. Ngjarja për të cilën ai është prangosur e ka zanafillën më 16 dhjetor të vitit 2006. Rreth orës 18:00 të kësaj dite strukturat antidrogë të Drejtorisë së Policisë së Gjirokastrës kanë bërë të mundur sekuestrimin e një sasie prej 211 kilogramë lëndë narkotike të tipit marijuanë. Sasia narkotike është sekuestruar në një automjet të braktisur në aksin rrugor Kthesa e Libohovës-Suhë. Sipas të dhënave, policia ishte vënë në ndjekje të automjetit  tip "Opel" me targa GJ 9014 A, pasi kishin marrë informacion se në bordin e saj ndodhej lëndë e jashtëligjshme. Në vendin e sipërpërmendur dy persona që ndodheshin në automjet, e kanë braktisur atë në rrugë dhe duke shfrytëzuar errësirën kanë mundur t'i shmangen kapjes nga policia. Pak kohë më pas policia arriti të identifikojë dhe të arrestojë drejtuesin e automjetit V.T., ndërsa pati hedhur dyshime se ai kishte bashkëpunëtorë në trafik. Ndërsa pas ekspertimeve të mëtejshme policia gjeti gjurmë të gishtërinjve të Çaçit në paketimet e drogës, çka solli prangosjen e tij dy ditë më parë.                                    ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›