E Diel, 1 Nëntor 2026

Makina në liqen, vdes drejtuesi

 

Një i vdekur dhe katër të plagosur rëndë është bilanci i një aksidenti që ndodhi mbrëmjen e së premtes në Burrel, viktima të së cilës janë pjesëtarë të një familjeje. Ngjarja ndodhi rreth orës 22:00 kur mjeti tip "Benz 240", doli nga rruga duke rënë në liqenin e Shkopetit. Sipas policisë, nga ky aksident mbeti i vdekur Isuf Ndoi, 52 vjeç, ndërsa u plagosën rëndë vajza dhe djali i tij, Veli dhe Kozeta Ndoi, përkatësisht 24 dhe 18 vjeç, vajza e dajës, Suzana Disha, 20 vjeç, dhe mbesa e viktimës, Natasha Bruçi, 20 vjeçe. Tre vajzat ishin studente dhe kishin shkuar në Shkodër ditën e ngjarjes për t'u regjistruar në konvikt. Ato janë vonuar e për pasojë, rruga e kthimit është shoqëruar me peripeci. Në orët e darkës, tre studentet prisnin një makinë të rastit tek ura e Milotit për t'u nisur më pas drejt Burrelit. Por errësira dhe mungesa e qarkullimit të mjeteve bëri që Kozeta Ndoi t'i telefononte të atit, në fshatin Karicë të komunës së Bazit. Ajo e vë në dijeni atë se kishin mbetur në rrugë. Pas telefonatës, 52-vjeçari merr me vete dhe djalin e tij dhe niset për të marrë vajzat. Gjatë rrugës së kthimit, rreth orës 22:00, në afërsi të një lokali, pak kilometra larg urës së Ulzës mjeti doli nga rruga duke rënë në liqen. Rrëshqitja e "Benz"-it ishte fatale për jetën e drejtuesit, ndërkohë fati ka ndihmuar katër fëmijët e familjes Ndoi. Pas disa rrotullimesh, makina nxori jashtë të rinjtë e më pas ra në ujërat e liqenit bashkë me 52-vjeçarin. Disa momente më vonë, njëri nga të plagosurit arriti të dalë në rrugën nacionale dhe të kërkojë ndihmë. Menjëherë pas njoftimit që morën komisariatet e Laçit e Burrelit u dërguan në vendin e ngjarjes efektiva të policisë. Fillimisht u është dhënë ndihma e parë të plagosurve e më pas u bënë përpjekje për të nxjerrë nga uji Isuf Ndoin. Pas disa minutash, u gjet trupi i pajetë dhe u dërgua në morgun e Lezhës. Të plagosurit pasi morën ndihmën e parë në Lezhë, u nisën në Spitalin Ushtarak për shkak të gjendjes kritike. Mësohet se viktima është babai i shtatë fëmijëve, të cilët i ka rritur jetimë. Djali i aksidentuar ishte emigrant në Greqi dhe do të nisej të nesërmen e aksidentit. Sipas policisë, shkak i ngjarjes së rëndë ka qenë prania e mjegullës dhe mungesa e mureve mbrojtës në anën jugore të rrugës nacionale Milot-Burrel, por edhe shpejtësia e makinës. Pas ngjarjes, familjarët e viktimës akuzuan punonjësit në morgun e Lezhës, pasi sipas tyre, për të mbaruar procedurat që të merrnin trupin sa më shpejt, ata iu kërkuan para. Fakt ky që pritet të verifikohet nga drejtuesit e spitalit në ditët e ardhshme.                     e.d/r.n

VIKTIMAT

I vdekur
Isuf Ndoi, 52 vjeç

Të plagosur
Veli Ndoi, 24 vjeç
Kozeta Ndoi, 18 vjeçe
Suzana Disha, 20 vjeçe
Natasha Bruçi, 20 vjeçe

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›