E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vret shokun në gjueti, mendoi se ishte lepur

 

SKRAPAR - Shkoi të gjuante me mikun e tij, por e vret gabimisht duke menduar se ishte lepur. Ngjarja ndodhi të premten në pyllin e fshatit Luar, në Skrapar. Fetah Hallka, 50 vjeç, nga komuna e Gjerbës kishte shkuar për të gjuajtur bashkë me 48-vjeçarin Behar Çaushi nga Vlora. Ky i fundit, pasi e qëlloi gabimisht me çifte, u mundua të fshihte krimin, duke pretenduar se viktima ishte vetëvrarë aksidentalisht. Pas hetimit të kryer nga policia e Skraparit, Çaushi u arrestua mbrëmë me akuzën e vrasjes nga pakujdesia. Sipas policisë, ai fillimisht tentoi të sajonte ngjarjen sikur miku i tij i kishte humbur nga sytë dhe nuk e kishte parë më. Më pas pohoi se kishte dëgjuar krismë, por nuk kishte mundur të gjente viktimën. Këtë version ai e sajoi vetëm pasi u shoqërua, ndërkohë që nuk shkoi fare më parë në polici të denonconte zhdukjen e mikut të tij. Por pasi u mor në pyetje për disa orë, pranoi se e kishte vrarë gabimisht 50-vjeçarin. Ai kishte shtënë kur kishte parë një shkurre të lëvizte, duke menduar se ishte lepur. Por fatkeqësisht, vrau shokun e tij.                                                               d.xh

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›