Ish-Turizmi fut në sherr bashkinë me prefekturën
ELBASAN - Konfliktet ndërmjet Bashkisë dhe Prefekturës së Elbasanit lënë pezull punimet në segmentin kyç të qytetit, që ndodhet në afërsi të qendrës, tek ish-Turizmi i vjetër. Tashmë çështja i ka kaluar për kompetencë Ministrisë së Brendshme, e cila duhet të firmosë dokumentacionin për shpro-nësim të një objekti. Në fakt, konflikti midis dy institucioneve ka nisur muaj më parë. Bashkia kishte siguruar me të ardhurat e saj shpronësimin e pronarëve të objektit, që shërben si Shtëpia e Kulturës në Elbasan. Por pengesë për këtë gjë është bërë prefektura, e cila nuk i hapi dritën jeshile bashkisë dhe firmës fituese për ta shembur. Bashkia e Elbasanit, pasi ndoqi të gjitha rrugët ligjore me prefekturën, i është drejtuar komisionit të Shpronësimeve në Ministrinë e Brendshme. Kryetari i bashkisë, Qazim Sejdini, pohoi se ky komision e ka kaluar këtë kërkesë të bashkisë dhe aktualisht pritet vetëm zbardhja e tij. Kjo do të mundësojë hapjen e rrugës me dy korsi e për pasojë, edhe lehtësimin në qarkullim të mjeteve. Nëse procedurat për shpronësimin e këtij objekti nuk do të përfundojnë brenda këtij viti, atëherë fondi prej 2.5 milionë lekësh do të digjet dhe nuk mund të përdoret më për këtë investim. a.k