E Shtunë, 31 Tetor 2026

I vë zjarrin pyllit dhe fut gjithë fshatin në panik



Një djalë i ri i ka vënë zjarrin pyllit të fshatit duke rrezikuar banorët e banesat përreth dhe duke shkaktuar panik tek ta. Ngjarja ka ndodhur pasditen e djeshme në fshatin Zall Mner, bënë të ditur burime zyrtare të Policisë së Tiranës. Bilal Ali Gjoni, 32 vjeç, lindur dhe banues në Zall Bastar pranë Tiranës, nga hetimet e para policore rezultoi se është ideator dhe autor i vënies së zjarrit te pylli në fshatin Zall Mner. “Autori i ngjarjes, në rrethana ende të pasqaruara, i ka vënë zjarrin pyllit të fshatit, ku për pasojë janë djegur 25 dynymë pyje”, - sqaroi policia. Ajo tha se grupi hetimor që shkoi në vendngjarje ka konstatuar tri vatra zjarri. Policia tha se po punohet për sqarimin e rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin e plotë ligjor, ndërkohë që materialet do t’i kalojnë prokurorisë, për veprën penale të “shkatërrimit të pronës me zjarr”.
Gjatë gjithë sezonit veror dukuria e zjarreve në pyje edhe këtë vit u shndërrua në rutinë të përvitshme, duke shkaktuar djegien e disa qindra hektarëve pyje dhe kullota. Në masën më të madhe janë djegur pyje në troje shtetërore, në mënyrë të qëllimshme, nga banorë të papërgjegjshëm, që në përpjekje për të hapur kullota për bagëtitë e tyre shkaktojnë dëm ekologjik me pasoja të parikuperueshme për vite të tëra.

Aksidentoi pasagjerin e vet, policia e procedon

Forcat e policisë kanë nisur një procedim penal ndaj 40-vjeçarit Ismet Bengu, lindur në Gramsh dhe banues në Tiranë. Sipas të dhënave, procedimi penal ndaj tij ka filluar pasi duke udhëtuar me automjetin e tij tip “Benz” me targa TR 2799 P, në rrugën nacionale Plepa-Tiranë, në afërsi të segmentit Kodër-Arapaj, ka humbur kontrollin e automjetit dhe ka dalë nga rruga në krahun e majtë duke u përplasur. Si pasojë e aksidentit është dëmtuar pasagjeri me inicialet K. M., 42 vjeç, lindur në Gramsh dhe banues në Tiranë, i cili, pas mjekimeve në Spitalin e Durrësit është larguar për në banesë pa probleme shëndetësore. Bëhet e ditur ndërkaq se Bengu, pas aksidentit, e ka lëvizur automjetin e tij nga vendi i ngjarjes, ku më pas është kapur rrugës nga Policia Rrugore, larg vendit të ngjarjes. Materialet e para hetimore për veprën penale të “shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor dhe të largimit nga vendi i aksidentit“, vepra të parashikuara nga nenet 290/1 dhe 273 të Kodit Penal do t’i kalohen Prokurorisë së Durrësit.

Kërkuan të rrëmbenin adoleshenten, në pranga dy shokët

Forcat e Policisë së Durrësit kanë arrestuar në flagrancë Benard Leshin dhe Pashk Bucajn, të lindur në Dibër e Mirditë dhe banues në Durrës. Sipas të dhënave policore, arrestimi i këtyre dy personave u bë për arsye se në afërsi të lokalit ”Fiorentina” në qytetin e Durrësit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë tentuar të marrin me forcë për ta hipur në automjetin e tyre tip “Golf 5” me targa ND05YOO, 17-vjeçaren me inicialet R. H., e lindur në Gramsh dhe banuese në Durrës. Bëhet e ditur se në kohën që Benardi e ka kapur për krahu vajzën duke e tërhequr për në automjetin e tij jashtë dëshirës së saj kanë ndërhyrë menjëherë forcat e policisë, të cilët kanë ndaluar menjëherë dy personat. Materialet iu kaluan për hetime të mëtejshme Prokurorisë së Durrësit për veprat penale të “heqjes së paligjshme e lirisë mbetur në tentativë”, e kryer në bashkëpunim, të parashikuar nga nenet 110/2, 22 e 25 të Kodit Penal.

Gruaja e vetëvrarë, Prokuroria akuzon të shoqin si shkaktar

Prokuroria e Tiranës përfundoi hetimet mbi çështjen penale të një 31-vjeçari që akuzohet si shkaktar i vetëvrasjes së bashkëshortes së tij. Burime pranë kësaj prokurorie konfirmuan dje se, organi i akuzës regjistroi për shqyrtim në Gjykatën e rrethit Tiranë aktet procedurale në ngarkim të shtetasit Petrit Goga, 31 vjeç, me banim në Tiranë. Sipas materialit hetimor, 31-vjeçari Goga, i arrestuar, dyshohet se ka shtyrë në vetëvrasje bashkëshorten e tij, 27-vjeçaren Mimoza Goga para dy vjetësh. Mimoza Goga u gjet e vdekur në pusin e shtëpisë së familjes Goga, në fshatin Ndroq të Tiranës në maj të vitit 2007. Shkak për ngjarjen mendohet të jetë bërë dhuna që bashkëshorti ushtronte ndaj gruas së tij. Procesi ndaj këtij shtetasi pritet të nisë së shpejti.

28 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›