I vënë gjobë dhe tentojnë ta vrasin
Dy persona kanë përfunduar në prangat e policisë, pasi dyshohen se i kanë vënë gjobë një qytetari dhe kanë tentuar ta vrasin. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në Kavajë, pas një pazari për shitjen e një shtëpie mes të dëmtuarit dhe dy të arrestuarve. Burimet policore të Kavajës bënë të ditur se pas kësaj ngjarjeje të rëndë, në pranga kanë përfunduar Muhamed Hasa dhe Bardhyl Xhihani. Në një njoftim për shtyp, Komisariati i Kavajës ka deklaruar se u krye arrestimi në flagrancë i dy shtetasve, të dyshuar për konsumim të veprave penale të vrasjes me dashje, e mbetur në tentativë, si dhe të shtrëngimit për dhënien e pasurisë. "Ndaj u krye arrestimi në flagrancë për shtetasit Muhamed Haziz Hasa, 45 vjeç dhe Bardhyl Haxhi Xhihani, 57 vjeç, të dy banues në Kavajë. Këta shtetas, rreth orës 13.30 të së mërkurës, në ambientet e një lokali në hyrje të Kavajës, kanë goditur me sende të forta Dashamir Currin", deklaroi grupi hetimor. Ata kanë tentuar që me anë të kanosjes Dashamir Curri t‘u jepte pasurinë e tij, duke i vënë edhe një gjobë prej 400 mijë lekësh. Sipas të dhënave nga grupi hetimor, Curri kishte nxjerrë në shitje banesën e tij, me një çmim prej dy milionë lekësh. Dy protagonistët janë takuar me të dhe duke e kërcënuar, i kanë kërkuar atij që shtëpinë ta shesë 1.6 milionë lekë. Curri nuk ka pranuar një fakt të tillë dhe në këto kushte, Hasa dhe Xhihani e kanë goditur me mjete të forta brenda ambienteve të lokalit me qëllim vrasjen e tij. Më pas, autorët janë larguar nga vendi i ngjarjes, por në një kohë të shkurtër janë prangosur nga forcat e policisë. Tashmë, ata do të përballen me drejtësinë për vrasje të mbetur në tentativë dhe gjobëvënie.