Tiranë, gjendet i vrarë një 20-vjeçar
Gjendet i vrarë një 20-vjeçar nga Tirana, i cili ishte goditur me mjete të forta pas koke. Artan Bekteshi u gjet nga kalimtarët në afërsi të Kinostudios, pranë vendit të quajtur Bregu i Lumit, ndërkohë që policia ka ngritur disa pista hetimi mbi këtë ngjarje. Burimet zyrtare të policisë kryeqytetase thanë në lidhje me këtë ngjarje se dje rreth orës 10.30 është gjetur i vdekur një shtetas në rrugën "Aleksandër Moisiu", në pjesën veriore të Urës së Qerosës në Bregun e Lumit. Fillimisht, viktima nuk është identifikuar, por është cilësuar se ishte i seksit mashkull, rreth moshës 20 vjeç dhe dyshohej si endacak. Burimet nga grupi hetimor thanë se viktima është gjetur në afërsi të Bregut të Lumit, në një zonë që shërbente për hedhjen dhe grumbullimin e mbeturinave dhe inerteve. Nga veprimet paraprake të kryera nga grupi hetimor në vendin e ngjarjes, dyshohet se vdekja e të riut, ka ardhur si pasojë e disa goditjeve të marra me sende të forta në pjesën e kokës. Ndërkohë, po punohet për kryerjen e një sërë ekzaminimesh dhe zbardhjen tërësisht të rrethanave dhe autorëve të dyshuar të kësaj ngjarjeje. Pas këqyrjes së vendit të ngjarjes, viktima është dërguar në morgun e Tiranës, ku disa persona janë interesuar për identifikimin e tij. Ndërkohë, një familje nga zona e Porcelanit e ka identifikuar si djalin e tyre, me emrin Artan Bekteshi. Sipas dëshmisë së tyre në polici, ai ishte larguar që ditën e djeshme (dy ditë më parë) dhe në mbrëmje kishin humbur kontaktet. Gjithashtu, ata kanë deklaruar se djali i tyre nuk i kishte njoftuar për ndonjë konflikt dhe nuk kishin dyshime se kush mund ta kishte kryer këtë krim. Megjithatë, policia ka ngritur disa pista hetimi. Një nga këto pista është ajo e grabitjes me pasojë vdekjen e tij, ndërkohë që nuk përjashtohen edhe konfliktet personale.