I vënë zjarrin shkollës, arrestohen dy fajtorët

Gjirokastër, 1 Shtator, NOA - Në komisariatin e policisë së Gjirokastrës ka mbërritur një telefonatë se në fshatin Jorgucat të Dropullit, në oborrin e shkollës 9-vjeçare, ka rënë zjarr dhe rrezikohet shkolla të përfshihet nga flakët.
Menjëherë në vendngjarje janë nisur forca të shumta të policisë dhe ka rezultuar kanë qenë dy persona që u kishin vënë zjarrin disa plehrave, por si pasojë e erës së fortë , zjarri është përhapur me shpejtësi në një sipërfaqje të madhe duke rrezikuar seriozisht shkollën.
Paskëtaj, është dashur ndërhyrja e forcave të policisë e repartit zjarrfikës dhe e banorëve që zjarri të vihej nën kontroll dhe shkolla të mos përfshihej nga flakët.
Ndërkaq, u bë i mundur edhe zbulimi i autorëve të vënies së zjarrit, të cilët janë arrestuar në flagrancë.
Mësohet se ata janë Musa Ago, 61 vjeç, lindur dhe banues në Elbasan, (çoban në fshatin Jorgucat), si edhe Halim Mahmutaj, 74 vjeç, lindur në Tepelenë dhe banues në Jorgucat.
Arrestimi i tyre u bë për veprën penale Shkatërrim nga pakujdesia me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor, vepër kjo e parashikuar nga neni 206/b i Kodit Penal.
Ndërsa materialet iu kaluan prokurorisë së Gjirokastrës për veprime të mëtejshme.
n.e/NOA