E Shtunë, 31 Tetor 2026

I vështiri Beckett

14/04/2011  Marrëdhëniet “e vetmuara”

Ai pati arritje të mira nën mbikëqyrjen e të atit, Bill Beckett dhe u lëndua rëndë kur ai vdiq në 1933. Po këtë vit vdiq edhe kushëriri i tij Peggy Beckett Sinclair, me të cilin ai kishte qenë tepër i lidhur. Marrëdhëniet e tij torturuese me nënën e tij, May, ndikuan tek ai para dhe gjatë pas vdekjes së saj në 1950 dhe shkrimet e Beckett mbartin gjurmë të gjithë këtyre marrëdhënieve jo të paqta të varësisë, respektit dhe antagonizmit. Ndoshta pikërisht prej këtej marrëdhëniet e Beckett me gratë ishin komplekse dhe shpesh të dështuara. Vajza e James Joyce, Lucia u lidh ngushtë me Beckett dhe pritej që ai t’i përgjigjej kësaj ndjenje, por jo. Ka prova se në këtë periudhë, në ditët e para në Paris, ai ishte i përfshirë pa dëshirë në një marrëdhënie me Peggy Guggenheim. Shumë lidhje të tilla dashurore e ndoqën vite më vonë. Një model i përsëritur sjelljeje iu bashkëngjit personalitetit të tij, i cili ishte fillimisht simpatik dhe tërheqës në mundësinë e një marrëdhënieje serioze apo intime.

Sipas disa burimeve, ndërsa ai u rrit duke u pjekur në jetën e mëvonshme dhe marrëdhëniet e tij personale u bënë më të qëndrueshme, nuk ndodhi kështu me konsumin e alkoolit. Tejet i tërhequr në marrëdhëniet me shtypin dhe mediat, Beckett ishte përfolur megjithatë nga bashkëpunëtorët personalë si miqësor, shpirtmirë, me humor dhe i mëshirshëm. Ndërkohë që udhëtimet e tij në Irlandë papritmas përfunduan pas vdekjes së nënës së tij, ai ishte dukshëm mikpritës për miqtë e tij irlandez në të gjitha herët kur ata erdhën në Paris.

Një portret i Samuel Beckett në 105-vjetorin e tij të lindjes

Samuel Beckett u lind një të Premte të Mirë më 13 prill 1906 afër Dublinit, Irlandë. I rritur në një familje protestante të klasës së mesme, djali i një kontrollori shumice dhe një infermiere në moshën 14-vjeçare ai u dërgua për të ndjekur të njëjtën shkollë që kishte ndjekur edhe Oscar Wilde. Duke parë mbrapa në fëmijërinë e tij, njëherë Beckett do të vërente: “Kam pasur një talent të vogël për lumturi”.

Beckett ishte i qëndrueshëm në vetminë e tij. Një djalë i palumtur i rritur nga një burrë i ri i palumtur, shpesh të depresionuar aq sa qëndronte në shtrat deri pas mesdite. E kishte të vështirë të angazhohej në një bisedë të gjatë, për të bërë këtë duheshin orë dhe shumë pije që ai “të ngrohej”, por megjithatë gratë nuk mund t’i rezistonin atij. Poeti i ri i vetmuar, me gjithë këtë, nuk mund të lejonte askënd që të penetronte në vetminë e tij. Një herë, pasi “flaku” tutje një marrëdhënie të ndërtuar me vajzën e James Joyce, ai shënoi se ishte si i vdekur dhe se nuk kishte ndjenja që ishin njerëzore.

Gjatë viteve të tij pasuniversitare ai mendonte për t’u bërë një akademik, mësoi letërsinë franceze për një kohë të shkurtër në Trinity College Dublin, por braktisi edhe disa mundësi të tjera. Studimet e tij pasuniversitare në Paris rezultuan në një disertacion të shkëlqyer mbi Proust, që u botua thuajse menjëherë më pas, i cili, së bashku me interesin e tij në rritje për Schopenhauer, mbajnë çelësat magjepsës për të kuptuar të gjithë punët e tij deri tani të pashkruara.

Më 1928, Samuel Beckett lëvizi drejt Parisit dhe ky qytet fitoi menjëherë zemrën e tij. Vetëm pak pasi arriti një shok i përbashkët e prezantoi atë me James Joyce dhe Beckett u bë shumë shpejt një apostull i shkrimtarit të vjetër. Në moshën 23-vjeçare ai shkroi një esse në mbrojtje të veprës së madhe letrare të Joyce kundër kërkesës së publikut dembel për kuptueshmëri të lehtë. Një vit më vonë, ai fitoi çmimin e parë letrar- 10 paund për poemën e titulluar “Whoroscope”, e cila kishte të bënte me filozofin Descartes (Dekart) duke medituar mbi subjektin kohë dhe përkohshmërinë e jetës. Pasi shkroi një studim për Proust, megjithatë, Beckett arriti në konkluzionin se zakoni dhe rutina ishin “kanceri i kohës”, kështu që hoqi dorë nga posti i tij në Trinity College dhe ndërmori një udhëtim shtegtues nëpër Evropë.

Beckett bëri udhëtimin e tij përmes Irlandës, Francës, Anglisë dhe Gjermanisë, ndërkohë gjatë gjithë kësaj kohe shkroi poema dhe histori të shkurtra dhe bëri punë të çuditshme për të përmbushur nevojat. Në vargun e udhëtimeve të tij, ai padyshim ra në kontakt me shumë prostituta dhe endacakë dhe këto përvoja më vonë do të do të përktheheshin në disa prej karaktereve të tij më të përsosur. Për sa kohë i qëllonte të kalonte përmes Parisit ai telefononte Joyce dhe ata patën vizita të gjata tek njëri-tjetri, megjithëse flitet se shumicën e kohës ata e kalonin të mbyllur të dy në heshtje, të mbuluar me trishtim.

Më në fund Beckett u vendos në Paris më 1937. Shumë pak pas kësaj ai u qëllua me thikë në rrugë nga një burrë, i cili iu afrua atij për t’i kërkuar para. Më vonë, ai do të mësonte në spital se kishte një mushkëri të shpuar. Pasi u shërua, ai shkoi të takojë atë që e kishte sulmuar në burg. Kur e pyeti pse e kishte sulmuar i burgosuri u përgjigj “Je ne sais pas, Monsieur”, një frazë që Beckett-it nuk iu shqit nga kujtesa, një frazë e disa shpirtrave të humbur dhe konfuzë që do të popullonin punët e mëvonshme të shkrimtarit.

Përgjatë Luftës së Dytë Botërore, Beckett qëndroi në Paris- madje edhe pasi ai u pushtua nga Gjermanët. Ai iu bashkua lëvizjes së nëndheshme dhe luftoi për rezistencën deri në vitin 1942 kur mijëra anëtarë të grupit të tij u arrestuan dhe ai u detyrua të zhdukej me gruan e tij franceze në zonën e papushtuar. Më 1945, pasi Parisi ishte çliruar nga Gjermanët, ai kthehet dhe fillon periudhën e tij më pjellore si shkrimtar. Në pesë vjetër që pasuan, ai shkroi “Eleutheria”, “Waiting for Godot” (Duke pritur Godonë), “Endgame” (Faza e fundit e luftës), romanet “Malloy”, “Malone Dies”, “The Unnamable”dhe “Mercier et Camier”, dy libra me histori të shkurtra dhe një libër me kritika.

Drama e parë e Samuel Beckett, “Eleutheria”, pasqyron kërkimin e tij vetjak për liri, duke u rrotulluar rreth përpjekjeve të një burri të ri për të çliruar veten e tij nga familja dhe obligimet sociale. Triumfi i tij i parë real, megjithatë, erdhi më 5 janar 1953, kur “Duke pritur Godonë” pati premierën në Théâtre de Babylone. Në kundërshtim me disa pritshmëri jo të favorshme, pjesa e vogël e çuditshme në të cilën “asgjë nuk ndodh” u bë një sukses i qëndrueshëm, duke shfaqur qindra performanca në Théâtre de Babylone dhe duke marrë lavdërimet e kritikëve të ndryshëm si: Tennessee Williams, Jean Anouilh, Thornton Wilder dhe William Saroyan, i cili shënoi: “Do të bëhej më e lehtë për mua dhe çdokënd tjetër të shkruhej lirshëm në teatër”. Ndoshta produksioni më i famshëm i “Duke Pritur Godonë” i takon vitit 1957 kur kompania e aktorëve nga San Francisco “Actor’s Workshop” shfaqi pjesën në burgun e San Quentin për një publik prej mbi 1400 të dënuarish. Në mënyrë të habitshme, produksioni ishte një sukses i madh. Të burgosurit e kuptuan po aq mirë sa Vladimir dhe Estragon se jeta është e destinuar të kalohet duke pritur, duke vrarë kohën dhe duke u kacavjerrë pas shpresës, por se qetësimi mund të jetë thjesht diku atje rrotull, në një cep. Nëse jo sot, mbase ndoshta nesër...

Beckett siguroi pozicionin e tij si mjeshtër dramaturg më 3 prill 1957 kur pjesa e tij e dytë e madhe “Endgame” pati premierën (në Frëngjisht) në Royal Court Theatre në Londër. Edhe pse anglishtja ishte gjuha e tij kombëtare, të gjithë punët kryesore të Beckett u shkruan në origjinal në frëngjisht, një fenomen kurioz ky përderisa gjuha e nënës së Beckett u pranua si gjuhë ndërkombëtare e shekullit XX. Me sa duket, megjithatë, ai donte disiplinën dhe ekonominë e shprehjes ndaj dhe kërkoi një gjuhë që do t’ia impononte këtë.

Punët dramatike të Beckett nuk mbështeten në elementët tradicionalë të dramës. Ai “bën tregti” në intrigë, karakterizim dhe në zgjidhjen finale, e cila ka qenë deri tani shenja dalluese e dramës, për një sërë imazhesh skenikë konkretë. Gjuha është e padobishme, për atë që krijon një univers mitik të populluar nga krijesa vetmitare, të cilët luftojnë më kot të shprehin të pashprehshmen. Karakteret e tij ekzistojnë në një vakum të ngjashëm me ëndërr të tmerrshme, të mposhtur nga një sens dërrmues hutimi dhe pikëllimi, duke u përpjekur në mënyrë groteske të komunikojnë në disa forma, pastaj duke u zvarritur, pafundësisht.

Beckett ishte i pari nga mjeshtrit e absurdit që fitoi famë ndërkombëtare. Punët e tij janë përkthyer në mbi njëzet gjuhë. Më 1969 ai fitoi çmimin “Nobel” për Letërsinë. Ai vazhdoi të shkruajë deri në vdekjen e tij më 1989, por detyra bëhej gjithnjë e më e vështirë pas çdo pune derisa, në fund, ai tha se çdo fjalë i dukej “një njollë e panevojshme në heshtje dhe në asgjë”.

Përgatiti: Blerina Goce

Krijohet Shoqëria e Librit Shqip

Janë botues dhe njerëz të njohur të librit e të kulturës shqiptare, të cilët kanë krijuar Shoqërinë e Librit Shqip. Kjo organizatë jofitimprurëse është njohur edhe nga gjykata e rrethit të Tiranës dhe është krijuar me qëllim që botuesit dhe përmes tyre shkrimtarët, përkthyesit, të gjithë njerëzit e kulturës të kenë mundësi më të mira të përfaqësimit të librit në gjuhën shqipe. Në Shqipëri, Kosovë e në vende të tjera ku shkruhet dhe botohet në gjuhën shqipe vërehet në njërën anë shtimi i titujve nga autorë origjinalë e sidomos nga ata të përkthyer, në anën tjetër shpesh pakujdesi në paraqitjen e librit, përkthime të pakontrolluara, herë-herë deri dhe mosrespektim i së drejtës të autorit.

“Në panaire kombëtare mbizotëron shpesh shtytja për të shitur me çdo kusht dhe jo dëshira për paraqitje sa më dinjitoze dhe estetike të librit shqiptar. Në panaire të rëndësishme ndërkombëtare të librit Shqipëria ose paraqitet varfër, ose nuk paraqitet fare. Stendat tona nuk përbëjnë ngjarje kulturore, por banaqe për librin”, vërejnë themeluesit e kësaj shoqate, ndërsa shtojnë se libri rrezikon të kthehet në një mall të thjeshtë tregtimi. “Përballë shtimit të formave elektronike të leximit e sidomos konkurrencës së librit elektronik, kjo gjendje nuk shenjon asnjë perspektivë të siguruar për librin shqip, përkundrazi. Mirëpo libri shqip është në një kuptim fytyra e kulturës sonë. Ai duhet të shprehë sa traditën shqiptare të librit aq edhe risim, vulën e përgjegjshmërisë dhe formën e bukur estetike”.

Përveç ruajtjes së standardeve të padiskutuara për librin siç janë respektimi rigoroz i së drejtës së autorit, paraqitja estetike e çdo botimi, kujdesi për gjuhën shqipe dhe kontrolli i përhershëm i përkthimeve, Shoqëria e Librit Shqip dëshiron të përfaqësojë sa më mirë interesat e botuesve shqiptarë që aderojnë në të kundrejt institucioneve shtetërore dhe organizmave të ndryshme ndërkombëtare që kanë të bëjnë me librin dhe me kulturën në përgjithësi. SHLSH është e organizuar me parimin e sindikatës së lirë. Të gjithë anëtarët e saj janë me të drejta të barabarta, paguajnë kuotizacionin dhe janë pjesë e vendimmarrjes, ose në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të përfaqësuar nga kryesia e SHLSH. Kryesia e SHLSH përtërihet me parimin e rotacionit çdo dy vjet. Kryetar i parë u zgjodh dr. Ardian Klosi, sekretare e kryesisë Arlinda Dudaj. Deri tani janë anëtarë të SHLSH, në rendin alfabetik: Botimet Dudaj, Botimet IDK, Botimet k&b, Botimet Kult, Botimet Omsca, Botimet Skanderbeg Books, Botimet Toena. Anëtarësia është e hapur edhe për çdo botues tjetër që respekton parimet e mësipërme dhe pranon organizimin e brendshëm të Shoqërisë.

Aktiviteti i parë i Shoqatës do të organizohet javën e ardhshme dhe është Panairi i Librit të Vlorës.

Ekspozita

“Çfarë i ndodhi gjeneralit?”

E ka marrë frymëzimin nga filmi shqiptar i vitit 1978 “Gjeneral Gramafoni” dhe “rrëfen” përmes punës së disa artistëve “Çfarë i ndodhi gjeneralit”.

Organizuar nga ICA – Instituti i Tiranës për Artin Bashkëkohor, kuruar nga Zef Paci dhe Tina Finnäs, me përqasje tematike të konceptuar nga Edi Muka, ekspozita “Çfarë i ndodhi gjeneralit?” do të çelet të premten më 15 prill në Galerinë “FAP” të Akademisë së Arteve në Tiranë.

Me artistë pjesëmarrës: Adrian Paci, Albert Brahaj, Alketa Ramaj, Armand Lulaj, Enkelejd Zonja, Era Tula, Heldi Pema, Ledia Kostandini, Leonard Qylafi/ Theodoraq Napoloni, Lina Selander, Stefan Çapaliku (aktore: Sara Smaja), ekspozita dëshiron të mbushë zbrazëtirën e krijuar në strukturën shoqërore duke reflektuar mbi të kaluarën historike të afërt me një perspektivë të qartë përmbi gjendjen e sotme. Veprat e artistëve na paraqiten me një larmi temash duke prekur histori personale, reflektime të brendshme, simbole të kohëve të shkuara dhe dilema të reja të një tranzicioni të përjetshëm. Emërtuesi i përbashkët i shumë veprave të artit që shtrihen nga videoja te piktura, fotografia, performanca dhe instalacioni është një pozicion reflektiv mbi gjendjen tonë sociale, kulturore dhe politike të sotme.

Edhe pse i bërë përshtat kërkesave të makinerisë propagandistike të kohës, në filmin e “Gjeneralit…” ka një përqasje kurioze të nënteshme. Ashtu sikurse sugjeron titulli, filmi është rreth futjes së diskut të parë LP në Shqipëri, sjellë në një qytet të vogël, të njohur për muzikantët popullorë, prej një italiani misterioz “të qytetëruar”.

Rengu është se ai jo vetëm po orvatet të joshë muzikantët vendas nga kahu i pushtimit fashist të Shqipërisë që po ia behte, por kur disku vihej në anën tjetër, ai luante muzikë moderne italiane. Kështu, pushtimi i vërtetë nuk është ai ushtarak, por ai i hollë, që ka ndër mend të përshkojë strukturën shoqërore, ndërsa i rrënjos një mënyrë tjetër jetese. Sot, thuajse 20 vjet mbas rënies së komunizmit, mënyra perëndimore e jetesës ka zaptuar çdo vatër e çdo grimcë të shoqërisë Shqiptare. Ende sot, në një zhvendosje paradoksale, përplasja e moçme kulturore e paraqitur në film nuk është zhdukur, por ka dalë në syprinë edhe më e fortë, ndërsa kontradiktat e vjetra dhe problemet e reja sociale kanë dalë në pah prej përparimit të politikave neoliberale lëkurëtrasha. Ajo çfarë ka dalë si rezultat i një ecjeje me sa duket mbrapsht është: ringjallja e kodeve sociale arkaike dhe të nderit, një mënyrë jetese konsumiste shkatërruese, një retorikë politike e urrejtjes dhe një polarizim në rritje i shoqërisë.

“Çfarë i ndodhi gjeneralit?” është pjesë e një projekti afatgjatë të quajtur “Utopitë individuale tesh e mbasandej– Ndërprerjet e dialogut ndërmjet brezave ose çfarë kemi të përbashkët?”, i cili është realizuar në bashkëpunim me SÇA/pro.ba nga Bosnjë Hercegovina, T.I.C.A. nga Shqipëria dhe New Media Center nga Serbia. Projekti është i mbështetur nga Programi Kulturor Zviceran në Ballkanin Perëndimor. Ekspozita do të qëndrojë e hapur deri më 24 prill.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›