Themelohet "Shoqëria e librit shqip", nga 6 botues

Gjashtë botues të letrave shqipe themeluan "Shoqërinë e librit shqip", e cila do të përfaqësojë interesat e botuesve shqiptarë kundrejt institucioneve shtetërore dhe organizmave të ndryshme ndërkombëtare që kanë të bëjnë me librin. Kryetari i kësaj shoqate, Ardian Klosi u shpreh se përmes kësaj shoqate, botuesit dhe përmes tyre shkrimtarët, përkthyesit, do të kenë mundësi më të mira të përfaqësimit të librit në gjuhën shqipe.
E ndërsa drejtoresha e Shtepisë Botuese “Toena” Irena Toçi theksoi se krijimi i kësaj shoqate, ndryshe nga ajo e Shoqatës së Botuesve shqiptarë, synon përfshirjen e librit shqip në më shumë panaire dhe aktivitete ndërkombëtare.
“Shoqëria e librit shqip” në kuadër të ditës ndërkombëtare të librit do të organizojë në Vlorë aktivitetin e saj të parë, “Panairin e librit të Vlorës”, i cili do të zgjasë 4 ditë dhe ku ftohen të marrin pjesë të gjithë botuesit e librit shqip.