E Diel, 1 Nëntor 2026

Të burgosurit, të nisin kërkesat për falje

Dibra: Banoret e qelive do te perfitojne edhe menaxhimin e kartave bankare, me te cilat do te kene mundesi te kryejne veprime ekonomike me llogarite e tyre qe u kane hapur familjaret.

Të dënuarit shqiptarë janë ende në kohë për të paraqitur kërkesat për falje, të cilat aplikohen zakonisht me rastin e festave të fundvitit. Ka qenë drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Gazmend Dibra, i cili ka shfrytëzuar një ekspozitë me disa punime të të burgosurve në burgjet shqiptare, të krijuar me rastin e Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut për ta konfirmuar. Ai ka bërë të ditur se institucioni i drejtuar prej tij tashmë ka përgatitur listën me dinamikat e të gjithë të burgosurve në pritje të kërkesës nga Presidenca.

Dibra ka cilësuar kushtet e punësimit apo të vetëpunësimit të të burgosurve në ambientet e burgut dhe të futjes së tyre në skemën e sigurimeve shoqërore si një nga përpjekjet më të mëdha për vitin 2011. Punësimi i të burgosurve dhe pagesa për punën e tyre ka për të sjellë edhe një ulje të tensionit nëpër burgje. Sipas Dibrës, futja e skemës së sigurimeve do të mundësojë edhe një shërbim më të mirë shëndetësor nëpër burgje dhe më pak shpenzime për ilaçe për të burgosurit.

Gjatë fjalës së vet, Dibra pohoi se gjatë vitit të ardhshëm do të ndërtohen disa institucione të reja, burgje apo paraburgime, si në Berat, Fier, Gjirokastër etj., ndërsa banorët e qelive do të përfitojnë edhe menaxhimin e kartave bankare, me të cilat do të kenë mundësi të kryejnë veprime ekonomike me llogaritë e tyre që u kanë hapur familjarët.

Në ceremoninë e zhvilluar në mjediset e Shtëpisë Qendrore të Ushtrisë, e organizuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, kanë qenë të pranishëm funksionarë të sistemit të burgjeve dhe administratës, të burgosur të punësuar apo të vetëpunësuar, deputetë dhe artistë, si dhe përfaqësues të organizatave të ndryshme joqeveritare.

Gjatë ceremonisë, ku u promovuan edhe ekspozita me disa nga veprat më të mirat të ardhura nga të gjithë burgjet shqiptare, u ndanë edhe çmime për veprat më të mira. Fatjon Gjolleshi, i cili po vuan dënimin në burgun e Vlorës, ka marrë çmimin në pikturë, ndërsa çmimi për fjalën artistike i ka vajtur Elvis Tafës, një çmim i është akorduar edhe të burgosurës Violeta Shabani.

Pjesëmarrës në këtë ceremoni të organizuar me rastin e Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, drejtuar nga Bujar Kapexhiu, kanë qenë edhe tenori Kastriot Tusha bashkë me këngëtaren që përfaqësoi Shqipërinë në Festivalin Evropian 2009, Kejsi Tola, të cilët, përveç këngës, mbajtën edhe fjalime në këtë ceremoni.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›