E Shtunë, 31 Tetor 2026

I zë korrenti duke hapur pusin, 4 të vdekur



Shkaku, një kabull tensioni nën tokë

Banorët akuzojnë drejtuesit e komunës

Dhjetë vjet që orvaten të mbushin ujë sa andej-këndej, por dhe sakrificat për të nxjerrë ndonjë pikë nga nëntoka tashmë rezultojnë fatale për jetën e banorëve të fshatit Hinkë, pak kilometra larg qytetit të Lushnjes. Në orët e para të mëngjesit të djeshëm, korrenti ka lënë të vdekur në vend tre punëtorë dhe të zotin e shtëpisë teksa punonin për të hapur një pus në shtëpinë e këtij të fundit. Hetimet e ekspertëve të policisë kanë nxjerrë në pah se gjithçka ka ndodhur në momentin e montimit të pajisjeve dhe kanë filluar ngritjen e kullës së shpimit, kur sonda ka takuar në një link të tensionit të lartë që ndodhej nën tokë. Për pasojë, Xhevahir Baho, 42 vjeç, Agron Pepa, 42 vjeç, Xhevahir Rrebeshi, 55 vjeç dhe Hekuran Behari, 50 vjeç, banorë të fshatit, kanë gjetur vdekjen e menjëhershme. Edhe pse banorë të tjerë janë munduar t’i ndihmojnë, gjithçka ka qenë e kotë. Ndërkohë, në vendngjarje kanë mbërritur efektivët e policisë së Lushnjes të cilët kanë filluar hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes. Edhe pse vdekja e të katërve është cilësuar si aksidentale, banorë të tjerë të fshatit kanë akuzuar drejtuesit e komunës për neglizhencën e shfaqur për gjithë këto vite, pasi askush nuk ka bërë përpjekjen më të vogël për të rregulluar gjërat. Sipas tyre, mungesa e ujit të pijshëm i detyron të hapin puse në oborret e shtëpive ose të përshkojnë disa kilometra të tjera në këmbë në një fshat ngjitur për të mbushur ujë.

Ngjarja

Janë ngritur më herët se zakonisht për të filluar punimet tek një i njohuri i tyre, banor i fshatit Hinkë të komunës Roskovec, pak kilometra nga qyteti i Lushnjes, por një kabull i tensionit të lartë i ndodhur nën tokë ka rezultuar fatal për jetën e tre punëtorëve. Korrenti ka zënë edhe të zotin e shtëpisë, i cili po ndihmonte ustallarët për të hapur pusin në oborrin e shtëpisë së tij. Sipas hetimeve të para të policisë, fillimisht puna ka ecur mirë, por gjatë momentit të montimit të pajisjeve për të ngritur muret mbrojtëse të pusit, pjesa metalike e sondës që mbahej nga ustallarët ka prekur në kabullin elektrik, që me sa duket, nuk është parë nga këta. Kjo gjë ka shkaktuar shkarkimin e rrymës së tensionit të lartë duke prekur të katërt që në këtë kohë mbanin sondën. Ndërkohë, banorë të tjerë të fshatit që e kanë pasur shtëpinë ngjitur me vendin ku po bëheshin punimet për hapjen e pusit, kanë shpejtuar për të ndihmuar bashkëfshatarët, por përpjekja e tyre ka rezultuar e kotë. Policia tha se rryma e madhe e tensionit të lartë ka lënë të vdekur në vend të katërt pa asnjë mundësi shpëtimi.

Akuzat

Pas kësaj, në vend janë mbledhur ekspertët e policisë, nënkryetari i komunës, si dhe banorë të tjerë të fshatit. Këta të fundit ia kanë hedhur fajin komunës pasi asnjë nga përfaqësuesit e saj nuk kanë bërë përpjekje serioze për tërë këta vjet për sjelljen e ujit të pijshëm në shtëpitë e tyre. Banorët janë shprehur se hapja e puseve është në modë në këtë zonë, pasi për të siguruar ujin për fëmijët e tyre, ata duhet të përshkojnë disa kilometra në fshatin më të afërt për të mbushur atje. Ndërkaq, nënkryetari i fshatit është shprehur nga ana e tij se çarja e tubacionit që furnizonte këtë fshat me ujë që në vitin 1997 ka sjellë dhe gjendjen aktuale të rënduar. Sipas tij, përfaqësuesit e komunës i kanë bërë kërkesë pushtetit vendor që 3-4 vjet të shkuara, pro ende asnjë përgjigje. Deri atëherë, banorët e Hinkës dhe jo të vetëm në fshatra që rrethojnë Lushnjen, duhet të luftojnë me vdekjen gjatë hapjes së puseve për të siguruar ujin e pijshëm.

Viktimat

Xhevahir Baho, 42 vjeç

Agron Pepa, 42 vjeç

Xhevahir Rrebeshi, 55 vjeç

Hekuran Behari, 50 vjeç

(Detaj)

Në momentin e montimit të pajisjeve për të ngritur kullën e shpimit, sonda ka takuar në një link të tensionit të lartë që ndodhej nën tokë

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›