E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arrestohen dy shpërndarësit e heroinës në kryeqytet

Operacioni

As 24 orë nuk do të kalonin nga goditja e grupit të drogës së Krenar Dajtit, kur një tjetër operacion i policisë së kryeqytetit ka vënë në pranga dy të rinj nga Vlora që merreshin me shpërndarjen e heroinës. Arian Mërtiraj, 28 vjeç dhe Ervin Faria, 30 vjeç, të dy nga Vlora, janë arrestuar në orët e para të mëngjesit të djeshëm me 100 gramë heroinë e destinuar për shitje falë një hetimi 2-javor të strukturave të Policisë së Tiranës. Lajmi është bërë i ditur dje nga të dhëna zyrtare të kësaj policie, sipas të cilave, pas goditjes së një tjetër grupi problematik shpërndarjeje, të cilët merreshin me shitjen e lëndës narkotike heroinë në zona të ndryshme në kryeqytet, u realizua kapja e një grupi të mirorganizuar me këtë tendencë. Policia tha se kapja e tyre u mundësua sot në sajë të zbatimit të metodave speciale të hetimit, të cilët u kapën në flagrancë në afërsi të stadiumit “Dinamo” në Tiranë, ndëkrohë që për ta, u shtri një hetim intesiv rreth 2 javor, ku u arrit të zbardhet dhe të dokumentohet tërësisht implikimi i tyre, në këtë rrjet shpërndarje. Sakaq, në cilësinë e provës materiale atyre iu sekuestruan 100 gr lëndë narkotike e dyshuar e llojit heroinë, ndërsa pas një kontrolli të ushtruar në banesën e shtetasit Ervin Faria në Tiranë, iu gjend dhe iu sekuestrua një tjetër sasi lënde narkotike e llojit mariuanë rreth 40 gr; një automjet tip Benz Mercedez, 5 telefona aparate celularë si dhe një sasi parash, për të cilat dyshohet se janë të përfituara nga kjo veprimtari kriminale. Aktualisht, strukturat e antidrogës së Tiranës janë duke bashkëpunuar me Drejtorinë e Policisë së Qarkut Vlorë dhe me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për sqarimin e mëtejshëm të këtyre shtetasve, implikimin e tjerë personave të shtrirë në këtë rrjet apo asete të përfituara nga kjo veprimtari kriminale. Ndërkohë, Policia e Tiranës ka bërë me dije se kurorëzimi me sukses i shumë operacioneve policore të zhvilluara nga strukturat e Hetimit të Krimit të Policisë së Kryeqytetit, janë fryte të bashkëpunimit dhe shkëmbimit në kohë të informacioneve të vlefshme, përmes strukturave të tjera policore, mbi autorësinë dhe vendndodhjen e tyre.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›