Abuzimet me pronat në Kashar, kryekomunarët kërkojnë gjykim të shkurtuar
Më 1 shtator vendimi i gjykatës për kërkesën. Avokati i Valiasit kërkoi ndryshim mase duke pretenduar se vuan nga kanceri
Abuzimet me pronat e Kasharit, kryekomunarët kërkojnë gjykim të shkurtuar. Dje gjatë seancës së radhës në ngarkim të 9 të pandehurve është zhvilluar edhe me kërkesat paraprake të tyre. Alfred Sulaj dhe Faik Fejzo i kanë kërkuar trupit gjykues vijimin e gjykimit të tyre në zbatim të gjykimit të shkurtuar, nga ku nëse pranohet si kërkesë përfitojnë uljen e 1 të tretës së dënimit. Me këtë kërkesë, të pandehurit nuk pranojnë akuzën, por kërkojnë të gjykohen në gjendjen që janë aktet e paraqitura nga akuza. Të njëjtën kërkesë e kanë parashtruar më pas edhe të pandehurit e tjerë: Bardhyl Kamberi, Ismal Sherra, Islam Sula, Shefqet Alikaj si dhe Xhevahir Hyka. Ndërsa tre të pandehurit e tjerë, Naim Karaj, Ruhi Valiasi si dhe Ismail Bakalli kanë kërkuar gjykatës veçimin e çështjes dhe gjykimin e saj me proces normal, duke mos pranuar të gjykohen me gjykim të shkurtuar. Nga ana tjetër, mbrojtja e të pandehurit Ruhi Valiasi i ka bërë një tjetër kërkesë trupit gjykues të kryesuar nga ana e gjyqtarit Sokol Tona. Në këtë kërkesë avokati i kërkonte gjykatës revokimin e masës së sigurisë “arrest me burg” të klientit të tij, pasi ishte i sëmurë me kancer në lëkurë dhe me cerozë në mëlçi. Nga ana tjetër, mbrojtja ka sqaruar se klienti i tij ndodhej në gjendje të rëndë në spital të burgut. Kjo, sipas mbrojtjes, ka ardhur edhe si pasojë e evoluimit të sëmundjes nga izolimi i tij për një kohë të gjatë. Pas dëgjimit të pretendimeve të mbrojtjes, akuza i ka bërë me dije gjykatës se nuk kishte asnjë kundërshtim për sa i përket gjykimit të shkurtuar, ndërsa do të shprehej më vonë në lidhje me revokimin e masës së sigurisë për të pandehurin Valiasi, pasi nuk ishte në dijeni nëse do të ishte ky trup gjykues që do ta shqyrtonte kërkesën apo ndonjë tjetër. Pas dëgjimit të të dyja palëve, trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Sokol Tona është tërhequr për 20 minuta për të marrë vendim. Në vendimin e tij gjykata ka rrëzuar kërkesën e mbrojtjes për revokimin e masës së sigurisë, pasi i pandehuri nuk ishte shprehur apo ankuar për mënyrën e trajtimit të tij në spitalin e burgut. Ndërsa në lidhje me kërkesën e paraqitur për gjykimin e të pandehurve me gjykim të shkurtuar, gjykata do të shprehet në seancën e ardhshme, konkretisht më 1 shtator.
Dosja
Dosja e dorëzuar nga prokurori i çështjes ka qenë mjaft voluminoze, brenda së cilës ndodhen 70 depozitimet e banorëve të Kasharit, të cilët akuzojnë drejtuesit dhe ish-drejtuesit e komunës Kashar për abuzime, falsifikime dhe mbivendosje pronash. Gjithashtu, në materialin 2 mijë fletësh në fashikujt hetimorë ndodhet edhe dëshmia e banorit të vrarë në Kashar, Gani Kamberi, i cili denoncoi mashtrimet dhe shitjen e mbi 30 mijë metër katrorëve pronë të tij. Sipas akuzës, viktima Kamberi ishte një ndër denoncuesit e parë dhe që ka ndihmuar me dëshminë e tij akuzën, e cila ka mundur të faktojë e dokumentuar sipërfaqen e tokës së shitur disa herë. Në dosje ndodhet edhe akti vlerësues për sipërfaqet e tokës së shitur dhe masën e abuzimeve nga kryekomunarët dhe të pandehurit e tjerë. Fillimisht u arrestua ish-kryekomunari Faik Fejzo, i cili dyshohet se ka përvetësuar në mënyrë të paligjshme toka bujqësore, ka abuzuar me lejet e ndërtimit etj., gjatë kohës që ushtronte mandatin e kryetarit të Komunës së Kasharit. Denoncimi, sipas burimeve, është bërë nga Kontrolli i Lartë i Shtetit në polici, pas kontrollit të bërë në dokumentacionin e kësaj komune në periudhën kohore 2000-2007, ku kanë rezultuar abuzime mjaft të mëdha, ndërkohë që të përfshirë në to rezultojnë tre kryekomunarë, ky aktuali, Alfred Sulaj si dhe dy të mëparshmit, Faik Fejzo dhe Naim Karaj. Raporti i KLSH-së iu vu në dispozicion Drejtorisë së Krimit Financiar, e cila bashkëpunoi në verifikimin e gjithë materialit me Zyrën e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, ku rezultuan mjaft mbivendosje pronash, pra një pronë me firmë të kryekomunarëve rezultoi e shitur te disa persona. Por, një ndihmë të madhe u kanë dhënë prokurorëve dhe hetuesve të çështjes edhe denoncimet e personave të prekur nga mbivendosjet, si dhe përgjimet telefonike, të cilat hodhën dritë mbi aferat korruptive. Falë këtyre përgjimeve janë zbuluar edhe lidhjet që kishin të pandehurit me njëri-tjetrin, pazaret që bënin, por edhe lidhjen me të arrestuarit e operacionit “Furtuna” në kryeqytet. Nën skanim të plotë u vendosën edhe certifikatat e lëshuara nga Hipoteka gjatë kohës për të cilën akuzohen vendorët apo ish-vendorët e Kasharit. Prokuroria ka veçuar nga personat e arrestuar të pandehurin Ilir Sulaj 33 vjeç, me detyrë shofer i kryeplakut të Komunës Kashar, i cili akuzohet vetëm për “armëmbajtje pa leje” dhe është dërguar në gjykatë më vete për gjykim.
Arrestimi
Disa muaj më parë, konkretisht në nëntor të vitit të kaluar, falë hetimeve disamujore dhe denoncimeve të shumta nga banorë të Kasharit, u arrestuan tetë persona, shtetasit Alfred Sulaj, 33 vjeç, kryetari i Komunës Kashar, i zgjedhur më 18 shkurt si përfaqësues i PSD-së së Skënder Gjinushit, Naim Karaj, 45 vjeç dhe Faik Fejzo, 56 vjeç, ish-kryetarët e kësaj komune, përkatësisht për periudhën 2000-2003 dhe 2003-2007, Islam Shera, 65 vjeç, ish-kryeplaku i kësaj komune, Shefqet Alikaj, 51 vjeç, përgjegjësi i Zyrës së Kadastrës, si dhe Ismail Sulaj, 42 vjeç dhe Xhevair Hyka, 43 vjeç, banues në Kashar. Këta shtetas u arrestuan pasi akuzoheshin për “korrupsion pasiv nga të zgjedhurit vendorë”, “shpërdorim detyre”, “falsifikim të dokumenteve”, “mashtrim në bashkëpunim” etj. Vetëm pak muaj më pas, tre të tjerë u vunë në pranga po për mbivendosjen e pronave në Kashar. Më pas u arrestuan edhe tre shtetas të tjerë, të cilët kishin lidhje me abuzimet me pronat në Kashar.
Të pandehurit
* Alfred Sulaj, 33 vjeç, lindur dhe banues në Kashar, me arsim të lartë, me detyrë kryetar i Komunës Kashar
* Faik Fejzo, 56 vjeç, lindur dhe banues në Kashar, me arsim të lartë, ish-kryetar i Komunës Kashar në vitet 2003-2007
* Naim Karaj, 45 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë, me arsim të lartë, me detyrë ish-kryetar i Komunës Kashar në vitet 2000-2003
* Islam Shera, 65 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Katund i ri, ish-kryeplak i këtij fshati, Komuna Kashar
* Shefqet Alikaj, 51 vjeç, lindur në Vlorë dhe banues në Tiranë, me detyrë përgjegjës i Zyrës së Kadastrës në Komunën e Kasharit
* Ismail Sulaj, 42 vjeç, lindur dhe banues në Kashar me arsim të lartë
* Xhevair Hyka, 43 vjeç, lindur dhe banues në Kashar, me arsim të lartë
* Bardhyl Kamberi
* Ismail Bakalli
* Ruhi Valiasi
Akuzat
“Korrupsion pasiv nga të zgjedhurit vendorë”
“Shpërdorim detyre”
“Falsifikim të dokumenteve zyrtare”
“Mashtrim në bashkëpunim”