E Diel, 1 Nëntor 2026

I zgjedhur është Hasi, pritet vetëm prishja e kontratës me Anderlehtin

SHKRUAN: Jeton Selimi 28-10-2011 14:55

Në federatë konfirmojnë nën zë se trajneri i ardhshëm i kombëtares do të jetë pikërisht gjakovari, që në këto momente është i impenjuar në shkëputjen e marrëdhënieve me klubin belg

Do të jetë Besnik Hasi trajneri i ri i kombëtares kuqezi! Lajmi ndonëse jozyrtarisht, ka dalë nga njëri prej njerëzve më të besuar të presidentit Duka, që ka pranuar se njeriu i zgjedhur për të pasuar kroatin Josip Kuzhe është pikërisht gjakovari, aktualisht i impenjuar si zv/trajner në formacion bleg të Anderlehtit. Në fakt, pritej që të ishte pikërisht kështu, por njëshi i futbollit shqiptar ka pasur arsye të forta që e ka mbajtur të fshehtë emrin e tij.

Në FSHF të sigurt për Hasin

Korridoret e Federatës Shqiptare të Futbollit padashur shndërrohen gjithnjë në një burim të sigurt informacioni, ndonëse zyrtarisht emri i trajnerit të ri nuk është bërë ende i ditur. Por kur ai që kalon nën zë informacionin është një prej anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv, padyshim që gjithçka bëhet e besueshme. “Mund t’ju them se bëhet fjalë për Besnik Hasin. Federata nuk do t’i prishë punë Hasit dhe do të presim deri ën fundjavë. Nuk besoj se do të ketë probleme,” konfirmon burimi për gazetën “Mapo”.

Situata me Anderlehtin

Ajo që po mban pezull gjithçka është pikërisht kontrata e Besnik Hasit me skuadrën belge të Anderlehtit. Hasi ka një presion të madh nga trajneri Ariel Xhakobs, por edhe krerët e lartë të skuadrës belge, për të mos e lënë detyrën e tij. Xhakobs që së bashku me Hasin punojnë që prej vitit 2007, nuk dëshiron të heqë dorë kollaj nga një njeri i lidhur me klubin siç është gjakovari, ndaj u paskësh kërkuar drejtuesve që ta bllokojnë lëvizjen e Hasit. Megjithatë, vullneti i Besnikut është i lidhur ngushtë me ambientin kuqezi, ndaj drejtuesit e FSHF-së i kanë lënë disa ditë kohë gjakovarit që të vërë pikat mbi “i” me skuadrën belge dhe në fundjavë të jetë në kryeqytet për të firmosur kontratën e re.

Lojtarët e kombëtares përgëzojnë Hasin

Një tjetër fakt që e bën këtë punë të përfunduar, janë edhe urimet në Facebook nga lojtarët e kombëtares për Besnik Hasin. Të tilla janë postimet e Hamdi Salihit dhe Elis Bakajt, të dy nga faqet e tyre zyrtare, që i urojnë Hasit suksese në detyrën e re dhe se mezi presin që të punojnë me të.

Duka & CO, drekë në kryeqytet

Pasi kanë diskutuar disa orë me njëri-tjetrin në zyrat e Federatës Shqiptare të Futbollit, presidenti Duka, së bashku me Sekretarin e Përgjithshëm, Eduard Prodani, dhe disa anëtarë të Komitetit Ekzekutiv si Lutfi Nuri, Bujar Kasmi, Skënder Hyka etj, kanë qenë në një nga lokalet më në zë të kryeqytetit në rrugën e Kavajës për të drekuar së bashku. Mes tyre, ka qenë edhe drejtori i ri i stadiumit kombëtar “Qemal Stafa”.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›