I zhdukur prej një muaji, djali gjen babanë në morg
Ishte zhdukur që me 6 janar të këtij viti dhe djali kishte kërkuar ndihmën e policisë për të gjetur babanë. Por, deri dy ditë më parë asnjë rezultat. Megjithatë, djali nuk ka ndaluar para asgjëje për të mësuar mbi fatin e të atit, të cilin ka mundur ta gjejë vetëm në morg. Pavarësisht se policia nuk kishte informacion, ai e ka gjetur vetë, duke u treguar uniformave blu që të hiqnin emrin e tij nga listat e kërkimit. Por, bashkë me kufomën e të atit, Ibrahim Gicaj ka mësuar edhe historinë e ndarjes nga jeta. Babai i tij, Hasan Gicaj, ishte aksidentuar për vdekje nga një person, tashmë i arrestuar. Burimet policore bënë të ditur se ngjarja zë fill që me datë 6 janar. Pikërisht paraditen e asaj date ka ndodhur një aksident në autostradën Tiranë-Vorë. Për këtë, policia kishte raportuar se mbrëmjen e 6 janarit, u bë arrestimi i Ben Cukës, 38 vjeç, lindur dhe banues në Thumanë të Krujës. Sipas policisë, arrestimi i tij u bë, pasi atë ditë në orën 11.00, në superstradën Tiranë-Vorë, pranë karburant "Eurodrin", duke drejtuar mjetin fuoristradë tip "Rang Rover", me targa AX 278 BS, ka aksidentuar me vdekje një këmbësor, i cili për rreth një muaj mbeti i paidentifikuar. Të vetmet detaje që policia dha për të, kishin të bënin me mendimin se i ndjeri ishte rreth 45 vjeç. Por më 13 janar, Ibrahim Gicaj shkoi në polici dhe denoncoi se babai i tij, Hasani, ishte larguar nga banesa dhe nuk ishte kthyer më që nga data 6 janar. Pavarësisht këtij fakti, askujt nuk i shkoi në mendje, se i aksidentuari me vdekje në atë datë, i cili gjendej në morg, mund të ishte babai i tij. Kështu, Ibrahimi vazhdoi kërkimin, derisa më 31 janar, dy ditë më parë, shkoi në morg dhe arriti të njohë të atin. Në këto kushte, ai i ktheu "ndihmën" policisë, duke i treguar se e kishte gjetur babanë, të cilin e kishin shpallur të humbur.