E Diel, 1 Nëntor 2026

Kreditë e këqija, borxhlinjtë e bankave nën sitën e ATK-së



Ervin KOÇI

Individët apo subjektet që janë borxhlinj në bankat private si pasojë e marrjes së kredive, që nga viti 2000 e këtej, do të kalojnë në sitën e Agjencisë së Trajtimit të Kredive. Kjo e fundit me anë të një marrëveshje që po lidh me Bankën e Shqipërisë, synon që të trajtojë edhe kredimarrësit e rinj, të cilët deri tani janë konsideruar si klientë me probleme nga bankat private. Burime nga BSH-ja thonë se, “ky projekt është akoma në fazë diskutimi, por po mendohet gjetja e një zgjidhje edhe për ata individ apo subjekte të cilët kanë sjellë probleme në sistemin bankar”. Kreditë e klasifikuara si “të këqija” në sistemin bankar shqiptar nuk janë shtuar më në raport me totalin e kredive që prej dy muajsh, gjë që i ka shtyrë disa bankierë të mendojnë se situata është drejt përmirësimit. Sipas të dhënave të bëra publike nga Shoqata e Bankave, në prill kreditë e këqija ishin 11.7 për qind e totalit të portofolit, në të njëjtin nivel me marsin. “Unë mendoj se kreditë e këqija kanë arritur tashmë maksimumin. Ne presim që ato të pakësohen”,- deklaroi kreu i njërës prej bankave që veprojnë në Shqipëri. Të dhënat e detajuara të Shoqatës së Bankave tregojnë se sasia e kredive brenda standardit u rrit me 0.85 për qind gjatë prillit në krahasim me marsin, ndërkohë që kreditë e nënvizuara për shkak të vonesave të herëpashershme në shlyerjen e kësteve u ulën me 6 për qind. Kreditë e klasifikuara si të dyshimta u rritën me 4.8 për qind, ndërsa kreditë e klasifikuara si të humbura u rritën me 6.9 për qind.

Vonesat
Bankat u përballën me vonesa masive në shlyerjen e kredive gjatë vitit të kaluar, si pasojë e krizës financiare ndërkombëtare dhe impaktit të saj në Shqipëri. Kreditë nënstandarde që njihen gjerësisht si “kredi të këqija”, u rritën nga 6.82 për qind e totalit të kredive në janar 2009, në 11.8 për qind në shkurt të këtij viti. Për pasojë, bankat filluan të rrisin interesat për kreditorët e rregullt për të kompensuar humbjet. Për shkak të interesave të larta të kredive në vendin tonë, rritja e kredive nënstandarde shkaktoi rënie të fitimeve të bankave, por jo humbje për to.

Klientët e këqij
Kreditë e këqija i përkasin veçanërisht klientëve të kategorisë së biznesit. Ato janë pjesërisht rezultat i garës së fortë mes bankave për të kapur tregun e kreditimit gjatë viteve 2004-2008, kur portofolat e tyre të kredive u rritën me 50-70 për qind në vit. Rritja e shpejtë e kredive, si dhe presioni mbi oficerët e kredive për të firmosur sa më shumë kontrata, duket se solli edhe gabime në këtë proces.

Fitimet
Sistemi bankar regjistron sërish një rritje të fitimeve, ndërkohë që kreditë me probleme nuk po njohin më rritje, për të tretin muaj radhazi. Sipas të dhënave të publikuara nga Shoqata e Bankave, në fund të muajit prill, fitimi progresiv i sistemit bankar për katërmujorin arriti në 2.3 miliardë lekë, me një rritje prej 46% krahasuar me muajin mars.
Ky rezultat është dukshëm më i mirë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ku sistemi bankar regjistroi një humbje prej rreth 870 milionë lekësh. Kredia vazhdon të rritet me ritme të ngadalta, por të qëndrueshme. Gjatë katër muajve të parë të këtij vitit teprica e kredisë është rritur me rreth 2 miliardë lekë çdo muaj. E njëjta rritje u konfirmua edhe në muajin prill. Krahasuar me fundin e vitit 2009, teprica e kredisë është rritur me 2.4%. Por fakti më inkurajues për sa i takon kredive është mosrritja e mëtejshme e përqindjes së kredive me probleme. Edhe për muajin prill ky tregues qëndroi në nivelin 11.7%. Në krahun e depozitave rritja vazhdon me ritme më se të kënaqshme. Në harkun e një muaji, gjendja e depozitave të sistemit bankar u rrit me 5 miliardë lekë të tjera dhe arriti në 729 miliardë lekë, në fund të prillit. Krahasuar me fundin e vitit 2009, gjendja e depozitave është rritur me 5%, dy herë më shumë se rritja e portofolit të kredisë, çka përkthehet në një përmirësim të mëtejshëm të gjendjes së likuiditetit të bankave.

12 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›