“ICITAP” solli në Shqipëri një personazh të dyshimtë
• Nuk është vetëm misioni policor evropian ai që duket se ka marrë bujë në Shqipëri.Pak kohë më parë, një gazetë e përditshme zbuloi se edhe "ICITAP", misioni tjetër policor, ai që paguhet me taksat amerikane, gaboi të paktën moralisht në një moment kur solli për të marrë pjesë në hartimin e ligjit “Për Policinë e Shtetit” një personazh me të shkuar të dyshimtë në Shtetet e Bashkuara. Ai quhej Robert Wadman dhe kishte kryer detyra të larta në policinë amerikane, por në një moment të caktuar ishte përfshirë në një skandal që kishte në qendër pedofilinë dhe akuza të tjera, që shkonin deri te trafiku i drogës e satanizmi. I dorëhequr për këtë shkak nga policia në vitin 1994, Wadman, tashmë në rolin e një profesori të Drejtësisë (Criminal Justice) në universitetin "Weber", është kontraktuar nga misioni policor "ICITAP" si një nga specialistët kryesorë në hartimin e ligjit të ri “Për Policinë e Shtetit Shqiptar”. Pra, një ish-polic i larguar pa nder dhe në rrethana të paqarta nga policia dhe njëkohësisht i hetuar për disa vepra të rënda penale, i përfshirë në akuzën e drejtpërdrejtë për lënien shtatzënë të një minoreneje dhe dyshimin për vrasjen e prokurorit që hetonte pikërisht çështjen e pedofilisë, ka mbrujtur mendimet e veta në ligjin e ri “Për Policinë e Shtetit Shqiptar”. Natyrisht që "ICITAP"-i kishte të gjitha mundësitë që në Amerikën e Madhe të gjente dhe më tej, të paguante një tjetër "profesor" për punë ekstra në Shqipëri.