“PAMECA”, vetëm një vërejtje në tre vjet
• Në tre vjet të ekzistencës së saj në Shqipëri, misioni për asistencën policore ka ndërmarrë vetëm një hap të guximshëm dhe ndërhyrës.Kjo ka ndodhur më 17 korrik 2007, pak muaj përpara se misioni të përmbyllej. Më saktë me anë të një komunikate për shtyp "PAMECA" tërhoqi vëmendjen apo shprehu shqetësim "për mënyrën se si janë bërë largimet e kohëve të fundit nga Policia e Shtetit". Sipas komunikatës për shtyp, "PAMECA" nuk shqetësohej për numrin e personelit të punësuar, pasi e quante atë "një çështje të qeverisë shqiptare", por shtonte se shkurtimet në polici nuk janë bërë në përputhje me ligjin. Sipas "PAMECA"-s, largimet nga policia nuk kishin bërë të pamundur përfitimin ekonomik që pritej si rezultat i trajnimeve të bëra me kosto të lartë të kryera nga organizata ndërkombëtare, si të individëve të veçantë apo në fusha specifike të kompetencave. Më tej, "ato kanë sjellë dobësimin e një sërë departamentesh apo sektorësh, të cilët konsiderohet të jenë vitale për vazhdimësinë e projekteve të filluara dhe njëkohësisht për përmbushjen e kërkesave të pranimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO". "PAMECA" pretendon, se këto vërejtje i ka bërë edhe me shkrim dhe deklarata për shtyp e vërteton këtë. Por rezultati ka qenë vetëm rikthimi në detyrë i dy apo tre oficerëve të shkarkuar dhe asgjë më tepër. Nga ana tjetër, në një intervistë për "Panorama"-n, shefi i misionit Klaus Shmidt, shprehet pozitiv për reformën e fundit në polici. Sipas tij, "Çdo organizatë do kohë që të ndryshojë. Pas disa ndryshimesh, duhet bërë një pushim, me qëllim që organizata të tresë ndryshimet e bëra. Pra, për një kohë të gjatë duhet të pushojë së ndryshuari. Njerëzit duhet të jenë të sigurt në punën e tyre. E rëndësishme është për ne, që ata që punuan për riorganizimin e policisë, të vazhdojnë edhe për dy vjet, në mënyrë që organizata të përshtatet..." Në të njëjtën intervistë, Shmidi i quan thashetheme zërat për transferimet dhe largimet nga puna të punonjësve të policisë për motive politike. "Këto janë thashetheme. Në fakt ka një gjë që unë e kam vënë re, se Shqipëria është vend i thashethemeve", shprehet ai. Por në mënyrë jo zyrtare, me thënë të vërtetën, "PAMECA" ka qenë edhe më aktive se kaq. Kështu më 23 nëntor 2006, në një prononcim për "Zërin e Amerikës", një nga krerët e "PAMECA"-s veç lavdërimeve për rezultatet e tjera të policisë tërhoqi vëmendjen për trafikun e drogave. Sipas tij: "Shqetësimi kryesor për mua si oficer policie është trafikimi i drogave. Kjo është fusha ku tani po bëhen fitimet, dhe këto shifra nuk janë në ulje". Kjo është e shkruar, porse pakënaqësitë e njerëzve të "PAMECA"-s gjithsesi kanë qarkulluar jo vetëm në rrethet që kanë lidhje me policinë. Duke u nisur nga fakti se "PAMECA" ishte vetëm një mision këshillues dhe trajnues, mbase këto pakënaqësi në formë thashethemesh mund të klasifikohen në kontekstin shqiptar edhe si pozitivitet. Fe.De“PAMECA” dhe Shmidt u dekoruan nga TopiNë fund të nëntorit të këtij viti (24.11.2007) në Ministrinë e Brendshme u zhvillua ceremonia e dekorimit të Misionit të Asistencës Policore të Komunitetit Evropian në Shqipëri "PAMECA" dhe kreut të këtij misioni Z. Klaus Shmidt. Dekoratat e akorduara nga Presidenti i Republikës Z. Bamir Topi, iu dorëzuan përfaqësuesve të misionit dhe Z. Shmidt nga ministri i Brendshëm, Bujar Nishani. Misionit të Asistencës Policore të Komunitetit Evropian në Shqipëri "PAMECA", iu dorëzua medalja "Për Merita të Veçanta Civile", akorduar me motivacionin: "Për menaxhimin e kontributeve të Bashkimit Evropian për Policinë e Shtetit Shqiptar". Ndërsa Z. Klaus Shmidt u dekorua me "Medaljen e Artë të Shqiponjës" akorduar nga Presidenti i Republikës me motivacionin: "Për aftësi të shkëlqyera profesionale në drejtimin e veprimtarisë së ekipit multinacional të Misionit "PAMECA". "Eshtë një moment i shprehjes së mirënjohjes së institucioneve të shtetit shqiptar për kontributin e misionit "PAMECA", për kontributin e gjithsecilit dhe padyshim të zotit Shmidt si drejtues i tij", u shpreh në ceremoni ministri Nishani. Ndërkohë, po të rrëmosh në internet, biografia e Z. Shmidt nuk të lë përshtypje të plotë. Në faqen e internetit (www.intelligencesummit.org/speakers/schmidt.php - 22k -) thuhet se Klaus Shmidt vjen nga një strukturë policore gjermane e quajtur "skuadra e bombave" dhe se kjo pasqyrohet në pjesën e dytë të cv-së. CV-ja nis me përfundimin e Akademisë së FBI-së dhe mbyllet me një fakt të pabesueshëm. Sipas një vendimi të qeverisë së Republikës së Shqipërisë, 23 qershor 2005, Mr. Shmidt është emëruar Profesor për Menaxhimin Strategjik Ndërkombëtar... (According to a decision of the Government of the Republic of Albania dated 23 June 2005, Mr. Schmidt was appointed as Professor for International Strategic Management...".