ICO: Zgjidhja për veriun, sipas planit Ahtisaari
Zëdhënësi i Zyrës Civile Ndërkombëtare ose ICO-së në, Kai Mueller-Berner, ka lënë të kuptohet se nuk do të ketë modifikim të planit të Ahtisaarit për veriun e vendit. Në një intervistë për BBC-në, ai tha se ky plan parashikon kompetenca më të mëdha për komunën e re të Mitrovicës veriore me shumicë serbe dhe një rol konstruktiv të Beogradit atje. I pyetur nëse Zyra Civile Ndërkombëtare pajtohet me vlerësimin e kryeministrit Thaçi, sipas të cilit institucionet e Kosovës kanë përmbushur 90 për qind të obligimeve që dalin nga paketa e Ahtisaarit, Kai Mueller-Berner tha se zyra civile nderkombëtare pajtohet me faktin që një pjesë thelbësore e planit të Ahtisaarit është zbatuar. "Ne po punojnë në substancën e këtij plani në bashkëpunim me qeverinë. Ka ende punë për t'u bërë"- ka thënë ai. Berner vlerësoi se në fushën e decentralizimit janë kompetencat që duhet të transferohen nga niveli qendror në atë lokal dhe është një komunë që duhet të themelohet në veri të Mitrovicës, pastaj zbatimi i plotë i ligjit për gjuhët, etj. gjatë kohëve të fundit kanë qarkulluar ide për dhënien e një statusi special Mitrovicës veriore, të ngjashëm me atë në Tirolin Jugor, por ato janë hedhur poshtë edhe nga kryeministri Hashim Thaçi, që ka thënë se integrimi i qytetit të ndarë etnikisht do të bëhet në kuadër të planit Ahtisari.