E Diel, 1 Nëntor 2026

IDRA: “Korrupsioni në Shqipëri, i lartë, kryesojnë doganierët, tatimorët e mjekët”

Autori i Lajmit: Redaksia

Sipas sondazhit të fundit, bërë publik nga IDRA, perceptimi i korrupsionit në Shqipëri vazhdon të jetë i lartë. “Perceptimi mbi korrupsionin në Shqipëri vazhdon të mbetet i lartë. Vlerësimi mesatar i publikut të gjerë mbi korrupsionin e perceptuar të institucioneve në sondazhin e vitit 2010 është 62.4 pikë, në shkallën nga 0-100 pikë, ku 0 do të thotë “Shumë i ndershëm” dhe 100 do të thotë “Shumë i korruptuar”. Drejtuesit fetarë, Presidenti, ushtarakët, media, mësuesit e shkollave publike dhe drejtuesit e OJF-ve vazhdojnë të konsiderohen si më pak të korruptuar ndër 20 grupet dhe institucionet e vlerësuara. Nga ana tjetër, doganierët, tatimorët dhe doktorët janë vlerësuar si më të korruptuarit. 91.8% e të intervistuarve në kampionin e publikut të gjerë mendojnë se korrupsioni ndërmjet zyrtarëve publikë është “Shumë i përhapur” ose “Disi i përhapur”. - Përvojat me korrupsionin: Në sondazhin e vitit 2010, qytetarët kanë rënë pre e korrupsionit mesatarisht me 1.31 mënyra nga 10 mënyra te mundshme. Treguesi i viktimizimit është pothuajse i njëjtë me atë të vitit të kaluar. Gjithsesi, ky tregues është më i ulët se në vitin 2005 ku numri mestar i mënyrave përmes të cilave qytetarët kanë rënë pre e korrupsionit ka qenë 1.7. Sektori i shëndetësisë vazhdon të mbetet sektori më i përmendur për korrupsion. Në vitin 2010, 33.5% e të intervistuarve deklarojnë që ti kenë paguar ryshfet një doktori ose infermieri gjatë vitit të kaluar.
- Lufta kundër korrupsionit: Në përgjithësi, publiku shqiptar ka një perceptim negativ mbi kontributin e institucioneve të ndryshme në luftën kundër korrupsionit. Vlerësimi mesatar i 9 institucioneve/grupeve është 42.4 pikë. Ky vlerësim është poshtë mesit të shkallës së vlerësimit nga 0-100 pikë, ku 0 do të thotë “Nuk ndihmon aspak” dhe 100 do të thotë “Ndihmon shumë”.
- Besimi: Besimi i qytetarëve shqiptarë në institucione mbetet ende i ulët. Mesatarisht, niveli i besimit për të gjitha institucionet e vlerësuara është 43.8 pikë, në shkallën nga 0-100 pikë, ku 0 do të thotë “Aspak besim” dhe 100 do të thotë “Shumë besim”. Vetëm ushtarakët janë vlerësuar me më shumë se 50 pikë. Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave (28 pikë), sindikatat (32 pikë) dhe partitë politike (32 pikë) janë institucionet tek të cilat qytetarët shqiptarë kanë më pak besim.
- Transparenca: Si publiku i gjerë ashtu edhe punonjësit e sektorit publik mendojnë se në përgjithësi, transparenca e institucioneve shqiptare është e ulët. Vlerësimi mesatar i nëntë institucioneve është poshtë mesit të shkallës së vlerësimit nga 0-100, ku 0 do të thotë “Aspak transparent” dhe 100 do të thotë se “Shumë transparent”. Publiku i gjerë i ka vlerësuar institucionet me 38.7 pikë, ndërsa punonjësit e sektorit publik me 48.9 pikë.
- Sistemi i Gjyqësorit: Pas një rritjeje të qëndrueshme që nga viti 2005, besimi në sistemin gjyqësor në vitin 2010 ka pësuar rënie. Vetëm 35.9% e të intervistuarve deklarojnë se kanë “Shumë besim” ose “Disi besim” në sistemin gjyqësor, 10.7 pikë përqindje më pak se në vitin 2009. Përqindja e të intervistuarve të cilët kanë “Pak besim” ose “Aspak besim” në sistemin gjyqësor është shumë e lartë, 64.1%.
- Vlerësimi i ekonomisë: Perceptimi i publikut të gjerë mbi situatën ekonomike është i njëjtë me atë të një viti më parë dhe nuk ka ndryshuar shumë që prej vitit 2005. Më shumë se gjysma e të intervistuarve (53.9%) mendojnë se situata ekonomike e vendit është “E keqe” apo “Shumë e keqe”.
Ky lajm është publikuar: 06/05/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›