Studentët, peticion Presidentit që të dekretojë ligjin e dosjeve
Pak para përfundimit të afatit kohor që i mbetet Presidentit të Republikës, Bamir Topi, për të thënë fjalën e tij për ligjin e dosjeve, partitë opozitare i kërkojnë që ta rikthejë sërish në Kuvend. Partia Demokracia Sociale, nëpërmjet sekretarit politik, Artur Duçkallari, vuri në dukje se ligji ka përplasje themelore me Kushtetutën, duke cenuar në mënyrë të hapur lirinë e të drejtat e njeriut dhe duke krijuar mundësinë e nisjes së një “gjuetie shtrigash” ndaj kundërshtarëve politikë apo institucioneve të pavarura nga qeveria. “Nisur nga ky fakt, Partia Demokracia Sociale i bën sërish thirrje qeverisë të reflektojë edhe me qëndrimet e partnerëve tanë euroatlantikë si dhe të Pranisë së OSBE-së në Tiranë dhe Këshillit të Evropës, lidhur me ligjin e dosjeve. Nga ana tjetër, ne shprehim shqetësimin e thellë për presionin që po tentohet të ushtrohet ndaj kreut të shtetit prej Kryeministrit Berisha dhe deputetëve të bindur të tij”, - deklaroi Duçkallari.
Manjani: Qeveria nuk garanton dot sigurinë në vend
Partia Socialiste akuzoi dje qeverinë shqiptare se nuk garanton dot sigurinë në vend. Kryetari i komisionit të ligjeve në selinë rozë, Ylli Manjani, tha se viti 2009 ka nisur më një seri vrasjesh, ekzekutimesh, vjedhje banesash, madje janë shfaqur dhe maskat sërish. “Ekzekutimet e mafioze, që terrorizojnë përditë jetët tona, janë dëshmi e gjallë se shteti politik i Sali Berishës nuk arriti të ndëshkojë krimin e organizuar në vend. Pa pikë turpi e përgjegjësie shteti i sotëm në vend që të gjejë autorët, justifikohet duke thënë se vrasjet "janë luftë klanesh" apo "ekzekutime për hakmarrje", a thua se këto krime janë legjitime”, - deklaroi Manjani. Sipas tij, grabitjet e banesave dhe të bizneseve janë shtuar dukshëm. “Ende asnjë autor i kapur apo i dyshuar nuk raportohet nga shërbimet e policisë. Ndërkohë, shteti i Sali Berishës bën përgjegjës jo grabitësit që nuk i kap dot, por qytetarët dhe bizneset e grabitura, të cilët sipas qeverisë duhet të mbajnë roje private”, - përfundoi Manjani.