Kosova, Topi gati firmën mbi ambasadorin Lauka
Pas afro një viti nga propozimi i Kryeministrit Sali Berisha për emrin e Islam Laukës si ambasador në Kosovë, Presidenti Bamir Topi ka gati firmën për dekretim. Brenda pak ditësh, kreu i shtetit pritet të hedhë firmën mbi ambasadorin e ri të Shqipërisë në Kosovës. Ai është Ismal Lauka, i njohur për një karrierë të pasur diplomatike dhe vlerësohet si njohës i mirë i çështjes së Kosovës. Islam Lauka në CV-në e tij ka gjashtë kualifikime, si doktor i shkencave politike, gradë personale diplomatike “Këshilltar”, kurs diplomacie, kurs filozofie dhe pjesëmarrës në shumë konferenca. Ai mban edhe detyrën e drejtorit të Institutit Shqiptar të Studimeve Politike. Ai ka përfunduar studimet në Universitetin e Tiranës, Fakultetin Histori-Filologji, për rusisht. Ka një “background” të pasur si diplomat, duke nisur që nga puna referent në Drejtorinë e Parë të Ministrisë së Punëve të Jashtme, dhe më pas në detyrën e përgjegjësit të sektorit. Që nga janari i vitit 2007, Islam Lauka mban postin e kryetarit të Bordit Drejtues pranë Institutit Kombëtar të Diasporës në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Ai njihet edhe si autor i disa librave për Kosovën. Krahas detyrës si drejtor i Institutit Shqiptar të Studimeve Politike, Lauka është edhe president i Qendrës Shqiptare të Studimeve Amerikano-Britanike. Për katër vite, ’91-’95, Lauka ka qenë i emëruar në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Moskë me gradën e Sekretarit të Parë, si dhe me pozicionin e të Ngarkuarit me Punë. Brenda afateve ligjore të përcaktuara në Kushtetutë, Presidenti do të vendosë nëpërmjet dekretit nëse do ta pranojë apo jo kandidaturën e propozuar nga Kryeministri Berisha. Shqipëria ende nuk ka përfaqësuesin e saj diplomatik në Prishtinë, ndonëse Kosova shpalli pavarësinë më 17 shkurt të 2008-s. Gjatë vizitës së fundit që Presidenti Bamir Topi zhvilloi në Kosovë javën e kaluar, kreu i shtetit shqiptar premtoi se së shpejti përfaqësuesi i diplomacisë shqiptare do të vendosej në Prishtinë.