E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish-pronarët, Topit: Duam ligj të ri për pronat



Ish-pronarët i kërkuan dje Presidentit të Republikës, Bamir Topi, një ligj të ri për pronat, pasi sipas tyre, ai ekzistues i vitit 2006 ka dështuar për shkak të mosfunksionimit. Gjatë një takimi të zhvilluar dje me z. Topi në Pallatin e Brigadave, shoqata të ndryshme të ish-pronarëve në unanimitet pretenduan nga kreu i shtetit ndërmjetësim me krerët e PD-së dhe PS-së, për shfuqizimin e ligjit të njohur si 9235. Kreu i shtetit vuri në dukje se procesi i kthimit të pronave është një problem mjaft shqetësues dhe premtoi se do të inkurajojë institucionet të zbatojnë Kushtetutën. Por, sipas tij, problem mbetet zbatimi i vendimeve të Gjykatës së Strasburgut. Nga ana e tyre, pronarët insistojnë në mbështetjen e Presidentit të Republikës për përgatitjen e një ligji të ri për pronën, pasi aktualisht po shkelen të drejtat e njeriut.

Sipas tyre, procesi është korruptiv dhe nuk ka vullnet për ta përmirësuar situatën edhe nga zvarritjet, fatura ka shkuar në 30 miliardë euro. Por Presidenti theksoi se në bazë të dispozitave ligjore që ai ka, nuk mund të bëjë një ligj për pronat, por premtoi se do të inkurajojë faktorët politikë për të zgjidhur kërkesat e ish-pronarëve. Agim Toro i shoqatës “Pronësi me drejtësi” pohoi se mund të quhet si një ligj plotësisht i dështuar. “Ky ligj duke u mbështetur mbi kompensimin dhe jo kthimin e pronës, nuk përfundoi asnjë nga objektivat e veta”, - tha Agim Toro. Sipas kësaj kategorie, një korrupsion masiv ka shoqëruar procesin e kthimit dhe kompensimit në këto 18 vite. Ish-pronarët hodhën gjithashtu idenë e një moratoriumi për kompensimin financiar dhe legalizimin deri në shpronësim total fizik. Ndërkohë kreu i shtetit nuk ka hezituar të akuzojë edhe zyrtarë të lartë për abuzime me pronat. “Është e papranueshme, që ky problem shumë i rëndësishëm, mos të trajtohet në linjë të pastër e të sinqertë nga të gjithë njësoj dhe është akoma më e papranueshme, sepse jetojmë në Shqipëri dhe pozicioni të lejon të marrësh shumë informacione, që njerëz, të cilët i kanë zgjatur shumë duart nëpër pronat shtetërore dhe pronat e të tjerëve, flasin për parimet dhe për legjitimitetin e pronës”, - deklaroi z. Topi. Lidhur me kërkesat e ish-pronarëve, Topi premtoi angazhim në zgjidhjen e kësaj çështjeje, e cila sipas tij, varet plotësisht nga vullneti politik. "Nëse do të ketë ligj tjetër ose jo, nuk është një çështje që ka të bëjë me institucionin e Presidentit. Ka të bëjë me vullnetin e partive që krijojnë mazhorancën në Parlament, për të bërë një ligj tjetër, nëse ato e shohin të arsyeshme", - u shpreh Presidenti Topi. Ligji aktual i pronave u miratua në 2006-n, kohë në të cilën Bamir Topi, nën cilësinë e kryetarit të grupit të PD-së, abstenoi. “Duhet të jemi të hapur, duhet të jemi transparentë, që secili, sipas Kushtetutës, ka funksionin e vet, ka detyrimin e vet. Institucionet në Shqipëri, në një vend demokratik, janë të ndara. Pra funksionojnë partitë politike, të cilat e projektojnë vullnetin e tyre në Kuvendin e Shqipërisë, bëjnë ligje, marrin firmën tek Institucioni i Presidentit dhe ato bëhen të detyrueshme për zbatim”, - deklaroi z. Topi.

Por, - shtoi ai, - edhe unë do ta quaj të papranueshëm faktin që mbas 18 viteve, në një vend ku sasia e tokës është relativisht e vogël, pra nuk bëhet fjalë për territore të pafundme, të mos zgjidhet ky problem. “Kur kam qenë në Parlament, kam folur për shumë gjëra. Po të marrësh në referencë kohore bibliografike ato që kam botuar për pronat, mund t’i merrni në konsideratë, mund t’jua ofroj, kam folur vazhdimisht për këtë punë”, - u shpreh z. Topi. Ai akuzoi të gjitha palët e politikës për abuzimin e vazhdueshëm me pronat e ish-pronarëve legjitimë. Në këndvështrimin tim, - tha Topi, - dhe nga informacionet që marr, ende abuzohet shumë me pronat. “Kam bërë thirrje të herëpashershme, thirrje publike në takime zyrtare, me persona që mbulojnë institucione të rëndësishme në funksion të zbatimit të ligjit, çështja është mjaft komplekse. Shqetësimin tuaj unë e shoh mjaft të natyrshëm”, - theksoi z. Bamir Topi.

Topi: Politika po projektohet në media

Duke shigjetuar politikën që po shfrytëzon median për qëllime të ngushta, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, akuzoi dje se shumë pushtetarë kanë zgjatur duart drejt pronave të të tjerëve në mënyrë të padrejtë. Madje duke iu referuar mediave dhe lidhjeve të saj me politikën, Topi pohoi se në media projektohet politika, por duke apeluar që çështja e pronave të trajtohet në linja të pastra dhe transparente. Duke iu vënë në dukje ish-pronarëve se çështjen e pronësisë së tyre duhet ta ndjekin më tutje, jo thjesht të ndalojnë me takimin me Presidentin, Topi pohoi se do të bëjë punën e vet brenda linjave kushtetuese. “Jemi këtu dhe të gjithë zgjohemi në mëngjes me një ndjeshmëri për të parë titujt e gazetave. Shikoni me kujdes, sepse aty projektohen interesat edhe politike, edhe private!”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›