E Shtunë, 31 Tetor 2026

INSIG, debat për çmimin e privatizimit

Rinis saga për privatizimin e kompanisë shtetërore, INSIG. Komisioni parlamentar i Ekonomisë miratoi dje formulën e privatizimit, duke hapur kështu rrugën për shitjen e 100 për qind të aksioneve. Diskutime të gjata pati për njërën pjesë të formulës, e cila përcakton "vlerësimin e çmimit dhe përzgjedhjen e fituesit". Nisur nga praktikat e kaluara, shqetësimi tashmë lidhet me ofrimin e një çmimi të përballueshëm nga investitori dhe për gjetjen e modelit më të mirë, deputetët e ekonomisë kanë debatuar mes tyre. Ndryshe nga proceset e mëparshme, në garë mund të marrin pjesë edhe kompani shqiptare nga fusha e sigurimeve ose biznese të lidhura me to. Në debatin e djeshëm, anëtarët e komisionit hodhën idenë e shitjes së INSIG në tregun e bursës, por kjo nuk u pa e arsyeshme, pasi vonon procesin e privatizimit. Megjithatë, njëra pikë e projektligjit thotë se aksionet e mbetura nga privatizimi mund të tregtohen në Bursën e Tiranës.

Kriteret e shitjes

INSIG hyn për herë të dytë brenda një viti në proces privatizimi. Tashmë qeveria është e gatshme të shesë 100 për qind të aksioneve, me një çmim që do të caktohet nga vlerësuesi i aseteve. Në fund të vitit 2008, qeveria arriti të shiste 61 për qind të aksioneve për rreth 25 milionë euro, ndjesa më tej u pa e udhës t‘i ofronte 100 për qind të aksioneve për rreth 45 milionë euro. Blerësi ishte një kompani amerikane, e cila në kushtet e krizës ekonomike që përfshiu SHBA-në u tërhoq katër muaj pas privatizimit. Për këto arsye dhe të tjera të ngjashme në vitet e kaluara, qeveria është munduar të gjejë një pikë të leverdishme për investitorin, duke ofruar dy modele në formulën e privatizimit. Neni 4, pika 2, përmban çmimin dhe kriterin e përzgjedhjes. Sipas Ministrisë së Financave, përfaqësuar në komision nga Linda Rusmali, "nëse blerësit e mundshëm ofrojnë çmime blerjeje nën vlerën mesatare, negociohet me ofertuesit për rritjen e çmimit të ofruar. Kriteri i përzgjedhjes së blerësit do të jetë çmimi që nuk mund të jetë më i ulët se vlera mesatare, e përcaktuar në raportin e vlerësimit ndërkombëtar". Një tjetër variant në ligj përcakton se oferta në tender duhet të jetë më e lartë nga çmimet e ofruara nga blerësit në tenderët e mëparshëm për shitjen e INSIG. Pikërisht kjo pikë solli debate në komision. Kryetari Edmond Spaho propozoi heqjen e kushtit të dytë, pra që çmimi duhet më i lartë se ofertat e mëparshme. Të njëjtin mendim ndau edhe anëtari i komisionit, Gjok Uldedaj, duke shtuar se nevojiten kushte lehtësuese për investitorin. Kurse ish-zv.ministri i Financave, Florion Mima, e kundërshtoi me faktin se asetet e INSIG kanë ndryshuar nga vitet nisur edhe nga kushtet aktuale të ekonomisë. "Mendoj se varianti i qeverisë më duket i saktë. Oferta në tender nuk duhet të jetë nën çmimin e llogaritur në tenderët e kaluar", theksoi Mima. Megjithatë, komisioni miratoi modelin e paraqitur nga Ministria e Financave, me synimin për ta diskutuar në seancë plenare.

Aktualisht, INSIG pas rikthimit nga BERZH-i dhe IFC-ja të 39 për qind të aksioneve, zotëron 100 për qind të aksioneve

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›