E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Zbuten" masat e policisë, rikthehen aksidentet rrugore

Sapo policia rrugore ka ulur vrullin e saj për ndëshkimin e shkelësve të rregullave të qarkullimit, duket se kanë ardhur edhe pasojat e para. Kështu, gjatë 24 orëve të fundit janë shënuar gjashtë aksidente me shtatë të plagosur. Pesë nga këto aksidente kanë ndodhur në kryeqytet, ndërkohë që një tjetër ka ndodhur në Kavajë, rreth ky nën juridiksionin e Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Burimet policore shpjeguan se ditën e djeshme nga seksioni i hetimit të aksidenteve rrugore filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin Alban Avdyl Jahja, 39 vjeç, banues në Tiranë, me arsim 12 klasë. Ky person, në orën 10:25 të paradites, në bulevardin "Gjergj Fishta", duke drejtuar motorin "HD Sports" pa targa, është përplasur me mjetin kamion "Ebro", me targa TR6975R, që drejtohej nga shtetasi Hasan Sehit Hasa, 52 vjeç. Për pasojë është aksidentuar e ndodhet në spital drejtuesi i motorit, i cili është jashtë rrezikut për jetën. Ndërkaq, për ndjekje penale u dërgua edhe Natasha Subashi, 34 vjeçe, banuese në Marikaj, sepse në orën 08:00, në Marikaj, duke drejtuar mjetin "Ford", me targë TR7561K, ka aksidentuar fëmijën Arben Daja, 4 vjeç, i cili ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën. Për rastin e tretë, policia ka arrestuar Shkëlqim Kanton, 53 vjeç, banues në Tiranë. Sipas policisë, në orën 09:00, në Rrugën e Durrësit, pikërisht tek uzina "Tirana", ky person, duke drejtuar automjetin "Mercedes Benz", me ngjyrë të bardhë, me targë TR8269M, është përplasur me motorin "Honda" pa targa, që drejtohej nga Xhemal Hoxha, 62 vjeç, banues në Kamzë. Për pasojë është aksidentuar Hoxha, i cili ndodhet në spital në gjendje të rëndë shëndetësore. Gjithashtu, procedim penal në gjendje të lirë filloi edhe ndaj Vesel Halilit, 35 vjeç, banues në Tiranë, sepse në orën 18:30, në Bathore, duke drejtuar mjetin "Mercedes Benz", me targë TR5608H, është përplasur me motorin "Diang" pa targa, të drejtuar nga Arxhend Rusi, 16 vjeç, ku për pasojë është dëmtuar drejtuesi i motorit, i cili ndodhet në spital jashtë rrezikut për jetën. Aksidenti i pestë është shënuar në Bathore. Për këtë u dërgua për ndjekje penale në gjendje të lirë Besim Spahiu, 24 vjeç. Rreth orës 20:00, duke drejtuar motorin "Jamaha" pa targa, ai është përplasur me motorin "Jamaha" KPY 878, të drejtuar nga Gani Duka, 27 vjeç, banues në fshatin Bulqesh, ku për pasojë është dëmtuar Ganiu dhe pasagjeri Bujar Saraçi, 19 vjeç, të cilët ndodhen në spital jashtë rrezikut për jetën. Ndërsa për aksidentin e Kavajës, policia deklaroi se filloi procedimi penal në gjendje të lirë për Xhaferr Kolën, 16 vjeç. Në orën 13:50, në qytet, duke drejtuar motorin "Suzuki" pa targë, ai ka aksidentuar këmbësorin Sait Rrugeja, 60 vjeç. Policia tha se të gjitha rastet i janë referuar prokurorisë për veprime të mëtejshme, por sipas tyre bie në sy se nga gjashtë aksidente, pesë kanë ndodhur me motorë.

Ble. Gi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›