Policia rrugore bllokon edhe 155 leje qarkullimi
Policia e kryeqytetit ka vijuar edhe dje me masat e saj për kundërvajtësit rrugorë. Kontrolle dhe masa ndëshkuese janë ndërmarrë gjatë gjithë ditës, ku janë bllokuar për mosshlyerje të detyrimeve 155 leje qarkullimi të mjeteve. Nga 155 leje qarkullimi të pezulluara, 97 drejtues mjetesh shlyen detyrimet e tyre. Policia e Tiranës thekson se do të vazhdojë me intensitet punën për parandalimin e aksidenteve në rrugë dhe në krijimin e lehtësirave për lëvizjen e lirë të mjeteve, në përputhje me legjislacionin rrugor, me qëllim parandalimin dhe uljen e aksidenteve rrugore. Nga ana tjetër, shërbimet e policisë rrugore kanë konstatuar shkelje të tjera dhe kanë vendosur 2056 masa administrative, ndërkohë që kanë bllokuar edhe gjashtë leje për drejtim automjeti. Këto ditë priten masa të tjera edhe për drejtuesit e motorëve, të cilët po bëhen shkak për një sërë aksidentesh. Njëherësh, shërbimi i policisë së Tiranës fton të gjithë drejtuesit e automjeteve, në ndërgjegjësimin e tyre për të zbatuar me përpikëri normat dhe rregullat e Kodit Rrugor.