E Shtunë, 31 Tetor 2026

Procedim, plagosi me kaçavidë 60-vjeçarin

Një 31-vjeçar është dërguar për ndjekje penale në gjendje të lirë, pasi ka plagosur lehtë me kaçavidë një 60-vjeçar. Ngjarja ka ndodhur në lagjen "Ali Demi", ndërkohë që policia ka mundur të kapë autorin në tentativë për t‘u larguar nga vendi i ngjarjes. Burimet policore të kryeqytetit bënë të ditur se nga shërbimet e Komisariatit Nr. 1 u dërguan materialet në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, në gjendje të lirë, për veprën penale të "Plagosjes së lehtë me dashje", në ngarkim të shtetasit Petrit Et‘hem Loka, 31 vjeç, banues në Tiranë. Ky person dyshohet se dje në rrugën "Ali Demi", në Tiranë, ka goditur me sende të forta 60-vjeçarin Xhelal Papnika dhe më pas është larguar me automjetin e tij. Por, menjëherë janë njoftuar shërbimet e policisë, të cilët kanë arritur të kapin të kërkuarin dhe të bllokojnë mjetin me të cilin udhëtonte. Materialet i kaluan prokurorisë në ngarkim të tij, për veprën penale të plagosjes së lehtë me dashje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›