E Shtunë, 31 Tetor 2026

INSTAT ; Banka Botërore e vlerëson me çmim



Vetëm pak ditë pasi Fondi Monetar Ndërkombëtar vlerësoi punën e bërë nga INSTAT për llogaritjen 3-mujore të rritjes ekonomike, Instituti i Statistikave ka marrë një çmim vlerësues nga një organizëm tjetër ndërkombëtar. Banka Botërore vlerësoi INSTAT-in me një çmim. Në konkursin ndërkombëtar të organizuar nga Banka Botërore, INSTAT mori çmim për “Vlerësimin Programatik të Varfërisë në Shqipëri”. Vendi ynë u vlerësua ndër 13 fitues, ndërkohë që në konkurrim morën pjesë 250 vende, me të cilat Banka Botërore ka bashkëpunuar

Puna dhe studimet e ndërmarra nga INSTAT janë vlerësuar nga organizmat më të larta ekonomike të botës. FMN pak ditë më parë dha vlerësimin për mënyrën se si INSTAT me asistencë të FMN-së ka bërë matjen e rritjes ekonomike për periudhën 3-mujore në vitin 2008. Një vlerësim tjetër këtë hërë vjen nga Banka Botërore, lidhur me vlerësimin programatik të varfërisë në Shqipëri. Banka Botërore ka vlerësuar me çmim Institutin e Statistikave në Shqipëri, duke e përzgjedhur mes 250 vendesh.

INSTAT njoftoi dje se bashkëpunimi i institutit me Bankën Botërore gjatë zhvillimit të Anketës e Nivelit të Jetesës u vlerësua ndër 13 fitues në konkursin “Për përmirësimin e jetës së njerëzve në vendet e Evropës dhe Azisë Qendrore”, i organizuar nga Banka Botërore, me çmimin “Vlerësimi Programatik i Varfërisë në Shqipëri”. Gjatë ceremonisë së prezantimit të çmimit, DP Ines Nurja lajmëroi edhe publikimin e afërt të studimit mbi nivelin e varfërisë në vend. Çmimi iu dha INSTAT-it për bashkëpunimin me Bankën Botërore gjatë zhvillimit të Anketës së Nivelit të Jetesës, si dhe për forcimin e kapaciteteve të stafit. Përfaqësuesi i Bankës Botërore, z. Andrew L. Dabalen, lider i Analizave të Varfërisë për Ballkanin Perëndimor, tha në fjalën e tij se “ky çmim është i rëndësishëm për INSTAT, pasi në këtë konkurrim kanë marrë pjesë mbi 250 vende me të cilat Banka Botërore ka bashkëpunuar dhe Shqipëria e përfaqësuar nga INSTAT ishte ndër 13 vendet fituese.

Nga ana e saj, drejtoresha e Përgjithshme e INSTAT, Ines Nurja, e vlerësoi këtë çmim si një stimul për të përmirësuar më tej cilësinë e punës në institucion. Ajo tha se “kjo eksperiencë me Bankën Botërore shërbeu për të vënë në dukje potencialin që përfaqëson stafi i INSTAT-it dhe në të njëjtën kohë na vë në pozitë për t’u përmirësuar më tej”. Më tej, Nurja shtoi se shumë shpejt INSTAT do të bëjë publik studimin më të fundit mbi nivelin e varfërisë në vend, që është kryer në bashkëpunim me Bankën Botërore dhe PNUD. Këto të dhëna, sipas saj, do t’i shërbejnë më së shumti politikëbërësve dhe aktorëve publikë në ndërmarrjen e politikave sociale dhe ndihmën për familjet në nevojë.

Të 13 programet fituese ishin në përputhje me katër shtyllat strategjike të BB-së, që janë Shoqata Ndërkombëtare e Zhvillimit në Punë (IDA), Realizimi i Ndryshimit në Vendet me të Ardhura Mesatare, Trajtimi i Sfidave Globale dhe Inovacioni nëpërmjet Dijes dhe të Mësuarit.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›