Habsburgët, mbrojtës të Evropës
Duke filluar nga katastrofa e Mohàcs në vitin 1526, Habsburgët shpesh u gjendën të vetëm duke luftuar kërcënimin osman në zonën danubiane. Vjena dhe Stambolli ndesheshin për më shumë se një shekull e gjysmë në ultësirën kanonike, duke u dhënë jetë betejave epike përgjatë një vije fluide kufitare. Në vitin 1683, kthesa, me humbjen turke nën muret e Vjenës
Në momentin në të cilin Habsburgët u instaluan përfundimisht në fronin perandorak me zgjedhjen në vitin 1438 të Albertit II, turqit qenë tashmë padronë të të gjithë Evropës Juglindore, me përjashtim të Kostandinopojës, bastion i fundit kristian, e cila do të rezistojë deri më 29 maj 1453. Tentativat për t’i penguar kishin dështuar – si kryqëzata e Perandorit Sigismund, e përfunduar me katastrofën e Nikopolit të vitit 1396 apo ajo e hungarezit Janosh Huniadi, i cili pësoi një fat të njëjtë në Varna në vitin 1444 – ose e kishin ndaluar për një kohë të shkurtër avancimin e tyre, si në rastin e fitores së Huniadit përpara Beogradit në vitin 1456 apo rifitime të përkohshme të disa territoreve të kryera nga djali i tij, Mbreti i Hungarisë, Matia Korvini (1458 – 1490).
1526, beteja e Mohàcs
Në fillim të shekullit XVI hipja në fron e Sulltan Sulejmanit të Mrekullueshëm (1521 – 1566) shënoi një rigjallërim të sulmeve osmane si në Evropën kontinentale, ashtu dhe në të gjithë basenin mesdhetar. Cilat qenë në atë kohë shtetet në gjendje që t’u rezistonin me efikasitet turqve? Fqinjët evropianë të Perandorisë Osmane qenë fuqi dytësore. Në Poloni, dinastia e Jagellonëve nuk e konsideronte të domosdoshme ta frenonte fuqinë osmane. Kushërinjtë e tyre që mbretëronin në Bohemi e në Hungari, Vladislavi II (1490 – 1516) dhe Luigji II (1516 – 1526), pavarësisht vullnetit të mirë, nuk qenë në gjendje ta përballonin të vetëm kërcënimin turk.
Vetëm dy fuqi të mëdha kishin mjetet për të reaguar me efikasitet. Franca e Françeskut I, e cila megjithatë, pas luftërave të Italisë kundër Habsburgëve, kish negociuar me Sulejmanin një traktat aleance të përfunduar në vitin 1535, si dhe vetë Monarkia Habsburge, një perandori e pafundme e shtrirë dhe jo homogjene mbi të cilën mbretëronte Karli V nga viti 1516 Mbret i Spanjës dhe i posedimeve të saj dhe Perandor nga viti 1519. Por Karli V ishte në luftë me Francën dhe në Gjermani ndodhej përballë një krize të rëndë të provokuar nga rreziku osman. Ambicia e tij ishte ajo e bashkimit të të gjitha shteteve kristiane në luftën kundër turqve. Por në shekullin XVI kjo ide kryqëzate i përkiste tashmë një të kaluare të largët. Kur në fillim të vitit 1526 Sulejmani i Mrekullueshëm lëshoi ushtritë e tij drejt pushtimit të Hungarisë, Mbreti Luigji II Jagellon, pavarësisht apeleve për ndihmë, u gjend i vetëm në përballimin e fuqisë turke. Fitorja e kësaj të fundit në Mohàcs më 29 gusht 1526 dhe vdekja në luftime e Luigjit II do të kenë një jehonë të thellë në Perëndim. Në valën e suksesit, Sulejmani do të realizojë një ekspeditë shkatërrimtare në ultësirën hungareze, duke pushtuar për disa kohë edhe qytetin e Budës. Pavarësisht ngurrimit të protestantëve dhe të një pjese të fisnikërisë, Dieta e Bohemisë, Kroacisë dhe Hungarisë përcaktoi në suksesin e Luigjit II Jagellon kunatin e tij Ferdinand të Habsburgut, vëllai i Karlit V, duke shpresuar që falë potencialit të forcave të përfaqësuar nga Perandoria e Shenjtë, e drejtuar në emër të vëllait, Ferdinandi do të ishte i vetmi në gjendje që të ndalte avancimin turk.
Nga ai moment dhe përreth dy shekuj, Habsburgët do të kryejnë, shpeshherë të vetëm, një luftë të ashpër kundër osmanëve, derisa i kanë përzënë nga baseni danubian në fillim të shekullit XVIII. Kjo ndeshje, duhet thënë kjo, nuk ishte krejtësisht e çinteresuar. Për Habsburgët bëhej fjalë që të siguronin mbrojtjen e vetë posedimeve të tyre, drejtpërsëdrejti të kërcënuara si përgjatë brigjeve mesdhetare të Spanjës, ku gëlonin piratët barbarë, ashtu dhe përgjatë kufirit me ish territoret maxhare, të bëra pas vitit 1526 një bazë turke e avancuar. Pas zgjedhjes së Ferdinandit si Mbret i Hungarisë,Habsburgët qenë veç të tjerash të interesuar për atë çka ndodhte në hapësirën danubiane. Qysh nga fillimi Habsburgëve iu desh të luftonin me turqit në dy fronte. Në radhë të parë në Mesdhe. Pas pushtimit të Granadës në vitin 1492, mbretërit katolikë kishin pushtuar një numër të caktuar pikëmbështetjesh në brigjet e Afrikës Veriore: "Los Presidios" (Ceuta, Melilla etj.). Me Sulejmanin e Mrekullueshëm situata në Mesdhe u kthye në favor të turqve, të cilët arritën të pushtojnë ishullin e Rodit (1522) dhe të lidhin një aleancë me shtetin barbar të Algjerisë, i themeluar nga Khayr-al-Din, i njohur më mirë me emrin Mjekërkuqi. Piratët barbarë kontrollonin Mesdheun Perëndimor. Përpara kësaj situate, Karli V reagoi duke lëshuar një ekspeditë kundër Tunizisë në vitin 1535. Më pas u fut për të bërë pjesë në koalicionin e krijuar nga Papa Pali III, bashkë me Xhenovën dhe Venecian; por flota u shpartallua në Prevezë nga Khayr-al-Din në vitin 1538. Flota spanjolle akumuloi humbje të tjera, ndërsa flota turke vjen të dimërojë në portin francez të Tulonit në periudhën 1543 – 1544, në kuadër të aleancës franko-turke. Qe në këtë periudhë që Spanja humbi edhe pjesë të pikëmbështetjeve në Afrikë. Mesdheu mbeti një front “i nxehtë” akoma dhe për shumë kohë. Në vitin 1569 revolta e arabëve të Spanjës, të inkurajuar nga Mjekërkuqi, u shpartallua nga djali i Karlit V, Filipi II. Por siguria e trafiqeve me rrugë detare mbetej akoma shumë e pasigurt. Në vitin 1570, me iniciativën e Papës Piu V, u krijua një Lidhje e Shenjtë me një flotë ndërkombëtare të përbërë nga anije veneciane, spanjolle dhe xhenoveze, e drejtuar nga Don Xhovani i Austrisë, fëmija jashtë martese i Karlit V. Suksesi i Lepantos më 7 tetor 1571 kontribuoi për ta dobësuar fuqinë detare osmane, edhe pse jo në mënyrë përfundimtare. Pavarësisht “fitores së kryqit ndaj gjysmëhënës”, turqit arritën në fakt ta ruajnë një pozicion dominues në Mesdheun Lindor.
Sulejmani i Mrekullueshëm
Në Evropën danubiane, në frontin hungarez, qenë Habsburgët e degës austro-gjermane ata që drejtuan luftën, një përplasje permanente me një seri luftërash të ndërprera nga armëpushime të gjata, të fituara me peshë floriri. Pas Mohàcs, Hungaria, në të cilën mbretëronin tashmë Habsburgët, u gjend e ndarë në tri pjesë. Në perëndim dhe në veri, Habsburgët kontrollonin “Hungarinë reale”, një terren mbrojtës për kufijtë lindorë të Perandorisë së Shenjtë; në qendër, ultësira kanonike ndodhej nën kontrollin pak a shumë permanent të turqve; në lindje, Transilvania ishte bërë në fakt një principatë e pavarur, princat e së cilës, teorikisht vasalë të Habsburgëve, praktikonin kundrejt turqve një politikë të përbërë nga dozim i arsyeshëm neutraliteti dhe nënshtrimi, me objektivin e dyfishtë që të shmangnin pushtimin turk dhe të ruanin pavarësinë ndaj Habsburgëve. Deri në vitin 1683 limitet e tre komponentëve hungarezë mbetën të qëndrueshëm. Habsburgët u kënaqën më shpesh të ruanin statuskuonë, edhe pse pjesa më e madhe e forcave të tyre ndodhej e impenjuar në një seri të pambarimtë konfliktesh me Francën dhe aleatët e saj. Thelbësore për ta ishte të taposej çdo sulm osman, gjë që ndodhi nga viti 1529, kur Sulejmani i Mrekullueshëm ripushtoi Budën, të cilën Ferdinandi i Habsburgëve e kish çliruar dy vjet më parë. Me shpejtësi, Sulejmani u paraqit më 22 shtator deri nën muret e Vjenës. Të rrethuarit arritën që të rezistojnë dhe më 14 tetor 1527 e zmbrapsën sulmin e lëshuar nga turqit nëpërmjet një të çare të bërë në mure (Kiritner Tor). Të nesërmen rrethuesit e ngritën kampin, duke u kthyer në fushimet e tyre të dimrit. Një tentativë e re, e kryer në vitin 1532, u zmbraps përpara Készeg-ut. Me armëpushimin që pasoi, Ferdinandi i Habsburgëve njihej vasal i Sulltanit për “Hungarinë reale”, me ruajtjen e statuskuosë territoriale. E konfirmuar në vitin 1547, marrëveshja garantoi për më shumë se gjysmë shekulli një paqe të brishtë në Hungari, e copëzuar nga fërkime dhe nga luftëra fetare midis katolikëve dhe protestantëve. Lufta nisi fillimisht në Hungari në vitin 1591. Kjo “Luftë 15-vjeçare” – gjatë së cilës Princi i Transilvanisë, Boshkai, qe fillimisht aleat i Rudolfit II Habsburgas dhe më pas i turqve – përfundoi në vitin 1616 me paqen e Zhitvatorokut, që ruante statuskuonë territoriale, por çlironte “Hungarinë reale” nga gjendja e vasalitetit ndaj Sulltanit. Gjatë Luftës 30-Vjeçare (1618 – 1648), Perandoria Osmane, paksa e dobësuar, qëndroi jashtë konfliktit, gjë patjetër pozitive për Habsburgët në vështirësi të mëdha në frontet e tjera. Traktati i Vestfalisë, që i hoqi Perandorit pjesën më të madhe të pushteteve të tij, i shtyu Habsburgët që të përqendroheshin mbi posedimet e tyre, domethënë Austrinë dhe pjesën më të madhe të Hungarisë nën kontrollin e tyre. Habsburgët shpresonin se mund t’i përzinin turqit nga Hungari, por ishte absolutisht e domosdoshme që të disponoheshin mjetet e duhura financiare dhe sidomos të mos ishe i impenjuar njëkohësisht në fronte të tjera.
Mbretërimi i Leopoldit I (1658 – 1705), themeluesi i vërtetë i një monarkie austriake të përqendruar mbi vendet danubiane, përbën një moment vendimtar në luftën kundër turqve. Në fillim të mbretërimit, objektivi i tij ishte ekskluzivisht ruajtja e statuskuosë. Në këtë kontekst, kur turqit sulmuan “Hungarinë reale” në vitin 1663, Leopoldi I, i ndihmuar nga princat gjermanë dhe i mbështetur financiarisht nga Dieta, organizoi një ushtri ndërkombëtare nën komandën e Gjeneralit Montekukoli (kishte edhe 6000 francezë të dërguar nga Luigji XIV) që i mundi turqit më 1 gusht 1664 në Shën Gotard (Szent-Gottard) të Austrisë, në lumin Rab. Por për mungesë resursesh financiare dhe nga frika e një sulmi të francezëve në perëndim, Leopoldi preferoi të mos e shfrytëzonte deri në fund suksesin dhe nënshkroi me turqit paqen e Vashvarit, më pak e favorshme se ajo e Zhitvatorokut, pasi që iu desh sërish të njihej vasal i Sulltanit për “Hungarinë reale”. Kjo paqe, e quajtur “e turpshme”, provokoi një indinjatë të madhe në Hungari deri në atë pikë sa që disa kundërshtarë të Habsburgëve, si Emerik Thokoli, nuk do të hezitojnë të kërkojnë ndihmën osmane. Lufta rifilloi në vitin 1683. I shtyrë nga Thokoli, Sulltani refuzoi ta rinovonte paqen e Vashvarit dhe në mars të 1683-s, ushtria turke, e komanduar nga Veziri i Madh Kara Mustafa Pasha, marshoi mbi Vjenë. Për turqit qyteti ishte një objektiv themelor: një pushtim i tij do të kishte një ndikim të fortë psikologjik. Pavarësisht se forcat austriake qenë dobësuar nga luftërat kundër Francës, Leopoldi ishte fuqimisht i vendosur për të rezistuar. Në vijim të apelit të Papës Inoçenti XI, të gjithë princat e Perandorisë së Shenjtë, katolikë e protestantë pa dallim, por edhe Mbreti i Polonisë, Johan Sobieski (i cili kishte nënshkruar një traktat reciprok mbështetjeje me Austrinë), formuan një ushtri ndërkombëtare që nën komandën e tij erdhi në ndihmë të rrethuarve, duke u bashkuar me perandorakët e Dukës Karli V i Lorenës. Më 12 shtator 1683, të mundur në betejën e Kahlenbergut, turqit u detyruan që të tërhiqeshin drejt lindjes. Por kësaj radhe, në ndryshim nga viti 1664, Leopoldi ngarkoi dy gjeneralët e tij më të mirë, Dukën e Lorenës dhe Princin Eugjen të Savojës, që ta ndiqnin kundërshtarin. Pak e nga pak Hungaria perëndimore u çlirua dhe, pasi pushtoi Pestin, më 21 qershor 1686 ushtria perandorake vuri nën rrethim Budën, “mburojën e Islamit” siç e quanin turqit. Qyteti u çlirua më 1 shtator, pas 159 vitesh sundimi turk. Dy vjet më vonë, Transilvania u çlirua nga ana e saj, duke ruajtur falë Diplomës Leopoldinum të vitit 1691 autonominë administrative dhe lirinë fetare. Në jug fitoret e Princ Eugjenit, sidomos ajo e Zentës në vitin 1697, i dhanë fund dominimit osman në vendet e Danubit të mesëm. Me paqen e Karlovicit (Carlowitz) të vitit 1699, Leopoldi I u bë padron i të gjithë Hungarisë historike, përfshi Transilvaninë, por Habsburgët do të duhet të presin vitin 1718 që Banati i Temeshvarit (Timishoara) nga ana e tij të mund të çlirohej.
Karli V
Por Hungaria ishte një vend i sfilitur nga dekada të tëra luftërash të pandërprera. Nga 3 milionë e gjysmë banorët në territorin e saj përpara betejës së Mohàcs (1526), në vitin 1700 nuk kishte më shumë se 2 milionë. Për të ripopulluar vendin Habsburgët u bënë apel kolonëve, në pjesën më të madhe gjermanë, por edhe serbë: në këtë mënyrë, në vitin 1690, 30 mijë familje serbe në arrati nga Kosova u vendosën midis Danubit dhe Tishës së Poshtme, në Vojvodinën aktuale. Pushtimi turk kishte provokuar prishjen e të dhënave etnike të Evropës danubiane me pasoja të rënda për të ardhmen. Dy shekuj pas ngjitjes në pushtet të Sulejmanit të Mrekullueshëm, pasuesit e tij u detyruan që ta braktisnin pjesën më të madhe të pushtimeve. Në këtë zbaticë të fuqisë osmane, Habsburgët luajtën një rol mbizotërues: arritën që të çlironin Hungarinë, duke e integruar në Mbretërinë e Lindjes (Osterreich), ndërsa Dieta Hungareze në vitin 1687 dëshmoi njohjen e saj – jo pa një ngurrim të caktuar – duke votuar parimin e trashëgueshmërisë të Kurorës hungareze në kuadër të Shtëpisë së Habsburgëve. Do të ishte e pritshme që Leopoldi I dhe pasuesit do të vazhdonin politikën dhe luftën e tyre me turqit, por në periudhën e mëpasme Vjenës iu desh që të përballonte një seri konfliktesh të tjera: Lufta e Suksesionit spanjoll, pastaj ajo e Suksesionit austriak dhe Lufta 7-Vjeçare. Veç të tjerash, pasuesit e Leopoldit I, në mënyrë të veçantë Maria Tereza dhe Jozefi II, do të vendosin që të mos vihen në përplasje me Rusinë, e cila në emër të ortodoksisë e konsideronte botën ballkanike një zonë nën ndilimin e saj. Çlirimi i Ballkanit nga dominimi i Perandorisë Osmane do të ndodhë në fakt pas Habsburgëve dhe shpesh edhe kundër tyre.
Përgatiti
ARMIN TIRANA