Ruajtja e personaliteteve VIP nga Garda
Deri në vitin 2006, Kryeministri i vendit kishte nën shërbimin e tij 24 punonjës të Gardës që kujdeseshin për sigurinë e tij. Qeveria “Berisha” me vendim të Këshillit të Ministrave katër vjet më parë vendosi të përgjysmojë dozën e sigurisë për krerët e shtetit dhe institucioneve të larta shtetërore. Me një vendim të Këshillit të Ministrave, i cili shfuqizoi dy vendime të tjera, të vitit 2004 dhe 2005, pothuajse u përgjysmuan punonjësit e sigurisë së personave VIP. Veç këtyre, vendimi uli edhe afatin kohor të ish-zyrtarëve të lartë, të cilët ruhen nga Garda e Republikës edhe pas përfundimit të mandatit të tyre. Madje, që nga ky vendim, ish-presidenti nuk ka eskortë për katër vite, por vetëm për tre. Sipas vendimit në fuqi të qeverisë “Berisha” për sigurinë e personaliteteve të larta shtetërore, Garda e Republikës do të ruajë dhe mbrojë Prokurorin e Përgjithshëm dhe ministrin e Brendshëm, me eskortë, zëvendëskryeministrin, kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, kryetarin e Gjykatës së Lartë, kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, drejtorin e Shërbimit Informativ të Shtetit dhe kryetarin e mazhorancës parlamentare, me shoqërim, me oficer e nënoficer shoqërues. Në nenin 4 të ligjit bazë për Gardën e Republikës së Shqipërisë janë parashikuar të gjitha personalitetet e larta që ruhen dhe mbrohen nga Garda. Në bazë të këtij ligji, Garda ruan dhe mbron Presidentin e Republikës; kryetarin e Kuvendit; Kryeministrin, si dhe familjet e tyre; personalitetet e huaja që vijnë në vendin tonë në rang të njëjtë me personalitetet shqiptare; kryetarin e Gjykatës Kushtetuese; zëvendëskryetarët e Kuvendit; anëtarët e Këshillit të Ministrave; kryetarin e Gjykatës së Lartë; Prokurorin e Përgjithshëm, kryetarin e SHISH-it; kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit; guvernatorin e Bankës së Shtetit; avokatin e Popullit; kryetarin e KQZ-së; kryetarin e partisë më të madhe të mazhorancës parlamentare; kryetarin e partisë më të madhe të opozitës parlamentare dhe kryetarin e Bashkisë së Tiranës; rezidencat presidenciale, të Kuvendit dhe të Këshillit të Ministrave, si dhe seli e rezidenca të tjera të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave. Në këtë ligj është parashikuar që Presidenti i Republikës së Shqipërisë ruhet edhe 4 vjet pas lirimit nga funksioni, Kryetari i Kuvendit dhe Kryeministri edhe 3 vjet pas lirimit nga funksioni, kurse kryetari i Gjykatës Kushtetuese, kryetari i Gjykatës së Lartë, kryetari i SHISH-it edhe dy vjet pas lirimit nga funksioni.
#