E Shtunë, 31 Tetor 2026

Koçi: “Partitë e majta të vendosin dialog paraelektoral”



Kreu i Partisë Socialiste të Vërtetë ’91, Petro Koçi, ka propozuar vendosjen e dialogut dhe mirëkuptimit elektoral midis Partisë Socialiste, LSI-së dhe PSV ‘91. Në një konferencë për shtyp, Koçi tha se vendosja e këtij mirëkuptimi do ta ndihmojë të majtën për të larguar Sali Berishën nga pushteti. “Në kushtet politike të krijuara për të maksimalizuar pjesëmarrjen pa mungesa të socialistëve në procesin zgjedhor, për të rritur optimizmin e fushatës së koalicioneve të majta dhe për të realizuar objektivin e përbashkët të largimit të qeverisë ‘Berisha’ nga pushteti, PSV ‘91 propozon vendosjen e dialogut paraelektoral të 3 forcave politike socialiste, PSV ‘91, LSI dhe PS mes tyre, si edhe me liderin historik të socialistëve, Fatos Nano. Ky mirëkuptim paraelektoral jo vetëm do ta bënte plotësisht të mundur dërgimin e Berishës në pension, por do të hidhte edhe bazat e bashkëpunimit qeverisës për 4 vitet e ardhshme", - tha Koçi.

Milo, takime në qarkun e Vlorës

Kryetari i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, ka zhvilluar një takim me banorët e zonës së Lumit të Vlorës. Milo, i cili kryeson listën e PDS-së në këtë qark, u premtoi banorëve se qeveria e ardhshme e koalicionit të majtë do të mundësojë përmirësimin e kushteve të jetesës së tyre. Ai u ka bërë thirrje elektoratit që të votojnë për PDS-në në zgjedhjet e 28 qershorit. “Votoni Demokracinë Sociale si pjesë e së majtës solide, progresive europiane në Shqipëri. Votoni për Demokracinë Sociale, si pjesë e koalicionit për ndryshim, e cila do të jetë këtu e pranishme jo vetëm fizikisht, por do të jetë me politika dhe reforma sociale konkrete dhe të jeni të sigurt se së bashku me partnerët tanë do të jemi në qeverisjen e ardhshme. Ne jemi të bashkuar për të mundur këtë qeverisje të keqe, jemi të bashkuar për të qeverisur Shqipërinë pas 28 qershorit”, - tha Milo.

Gjinushi: “Në Vlorë e majta fiton 8 me 4 ndaj së djathtës”

Kreu i Partisë Socialdemokrate, Skënder Gjinushi, ka zhvilluar dje një takim elektoral në qytetin e Vlorës. Në një takim me mbështetës e simpatizantë të PSD-së, Gjinushi ka prezantuar listën e kandidatëve të PSD-së në qarkun e Vlorë, listë e cila kryesohet nga Kanan Shakaj. Gjatë fjalës së tij në këtë takim, kreu socialdemokrat shprehu bindjen se koalicioni i majtë do të fitojë 8 mandate kundrejt 4 mandateve të koalicionit të djathtë në qarkun e Vlorës. “Fitorja duhet e do të jetë e thellë sepse ne vlerësojmë që fitorja e Vlorës duhet të jetë jo 7 me 5, por 8 me 4. PSD-ja do të japë kontributin e saj në këtë fitore që të ketë mandatin e vet në qarkun e Vlorës. Bashkimi ynë është një bashkim vlerash; është një bashkim mbi programe, është një bashkim që mbështetet mbi një aleancë të hershme PS-PSD, e cila ka qenë gjithnjë fituese që prej ’96, prandaj ne i ftojmë të majtët të votojnë për PSD”, - tha Gjinushi.

1 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›