E Diel, 1 Nëntor 2026

Leskaj në Peqin: “Shqipëria nuk duron dot edhe 4 vjet me Sali Berishën”



Kandidatja për deputete e Partisë Socialiste në qarkun e Elbasanit, Valentina Leskaj, ka zhvilluar një takim me banorët e komunës Shezë të Peqinit. Leskaj, gjatë takimit, ka theksuar se vendi ka nevojë për një ndryshim të ri, i cili do të sjellë vlerësimin e munguar për njerëzit e thjeshtë. Ajo deklaroi se Shqipëria nuk mund të durojë dot më edhe katër vjet të tjera nën regjimin e Sali Berishës, dhe për këtë arsye u bëri thirrje banorëve që më 28 qershor të votojnë për Partinë socialiste. “Shqipëria nuk duron dot më dhe katër vjet të tjera nën regjimin e Berishës. Nuk duron dot më dhe katër vjet të tjera sepse e ka lodhur varfëria. E ka dëshpëruar dhe pamundësia për t’u ofruar fëmijëve një jetë më të mirë. E ka dëshpëruar pamundësia për t’i dhënë fëmijëve një shkollë dinjitoze, e ka lodhur korrupsioni, është kjo arsye që dua t’ju ftoj të gjithë juve më 28 qershor të ndërrojmë qeverisjen dhe të kemi një qeverisje, e cila i jep një jetë më të mirë shqiptarëve. 28 qershori do bëjë diferencën e madhe. Kryetari i Partisë Socialiste ka dhënë prova me Tiranën që ia ka ndryshuar faqen. Shqipëria do të bëhet. Ne do të mbështesim fort biznesin agrar me këto elementë sepse biznesi agrar do zhvillojë fshatin”, - tha Leskaj.

Blushi në Menkulas të Korçës: “Fshati është braktisur totalisht nga shteti”

Kandidatët për deputetë të Partisë Socialiste në qarkun e Korçës, Ben Blushi dhe Arben Ahmetaj, janë takuar me banorët e fshatit Menkulas. Ata kanë vënë në dukje problemet e shumta që ka fshati në ditët e sotme. Blushi tha se qeveria aktuale e ka braktisur totalisht fshatin shqiptar. Ai theksoi se qeverisja e ardhshme socialiste do ti kushtojë një vëmendje të veçantë zhvillimit të fshatit, duke krijuar edhe një Ministri të posaçme. “Fshati shqiptar është më i braktisur se kurrë në këto 20 vjet. Nëse ne kemi vendosur t’iu kërkojmë vota, kemi vendosur ta shpëtojmë fshatin nga varfëria. Ne kemi vendosur të fillojmë duke ulur koston e prodhimeve bujqësore, kemi vendosur çmimin e naftës në mënyrë që ulja të ndikojë direkt në uljen e kostove të prodhimeve tuaja. Do të krijojmë një ministri të veçantë për fshatin sepse kjo qeveri e sotme e ka harruar fshatin. Me fitoren në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit, Partia Socialiste do t’i kushtojë një vëmendje të veçantë zonave rurale dhe se në programin e saj e ka të detajuar mirë se si do ta arrijë zhvillimin e vazhdueshëm nëpër fshatra. Kjo do të bëhet e mundur përmes një politike nxitëse e stimuluese për bujqit, si dhe infrastrukturës së nevojshme për nxjerrjen e produkteve të tyre në treg”, - u shpreh Blushi.

1 Qershor 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›