E Shtunë, 31 Tetor 2026

INSTAT: Në 2008-n rritja ekonomike, 8 për qind

17/04/2009  Publikohet PBB-ja e tremujorit të fundit të vitit të kaluar

Instituti i Statistikës vlerëson se shifra e rritjes ekonomike për vitin e kaluar mund të jetë 8 për qind. Shifra e bërë publike dje është vetëm paraprake dhe gjithsesi flet për rritje ekonomike të lartë vjetore, me ndryshimin se ka pësuar rënie gjatë muajve të fundit të vitit. “Rritja vjetore 2008 bazuar në të dhënat tremujore është 8.0 për qind krahasuar me vitin 2007. Ky tregues përbën shifrën preliminare për llogaritjen e PBB-së vjetore, shifër kjo dinamike në vetvete, e cila i nënshtrohet politikave të revizionimit”, - u shpreh Gjergji Mano, drejtor i Drejtorisë së Llogaritjeve Kombëtare. Shifra e tremujorit të katërt të vitit të kaluar, gjithsesi shënon një rritje pozitive. Konkretisht kjo rritje është 2.5 për qind krahasuar me tremujorin paraardhës, çka reflekton, sipas ekspertëve, rritje në degët kryesore të ekonomisë. Rritja ekonomike e tremujorit të katërt është me 8.6 për qind, ku përsëri efektin më të madh e kanë degët e post-telekomunikacionit 39.1 për qind, shërbimet 14.0 për qind dhe ndërtimi me 9.3 për qind.

Industria në rënie

Gjatë vitit të kaluar është konstatuar një rënie në sektorin e industrisë, por që kompensohet këtë tremujor me rritje në degët e tjera të ekonomisë. Ekspertët përmendin kryesisht post-telekomunikacionin, ndërtimin dhe shërbimet, të cilat kanë dhënë një rezultante pozitive. Kështu, krahasuar me një tremujor më parë të vitit të kaluar, industria ka pësuar 2.2 për qind rënie, ndërsa Produkti i Brendshëm Bruto është përllogaritur për herë të parë në muajin e tretë këtë vit.

Sektorët në rritje

Rritje të konsiderueshme janë shënuar në degën e post-telekomunikacionit me 9.5 për qind, shërbimet si ndaj popullatës dhe ndërmarrjeve me 4.5 për qind dhe ndërtimi me 3.3 për qind. Sipas specialistëve të Institutit të Statistikave, krahasuar me tremujorin paraardhës rritje është shënuar në degët e tjera të ekonomisë. Më konkretisht bujqësia, gjuetia dhe pyjet kanë shtuar aktivitetin me 1.7 për qind, tregtia me 1.2 për qind dhe transporti 1.7 për qind.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›