Kompania shqiptare CAE sh.p.k., çmim në kategorinë e artë në Frankfurt
“Construction Albania Enterprise” sh.p.k. (CAE) (wwww.cae.al) merr “Çmimin Ndërkombëtar Harku i Evropës për Cilësinë dhe Përsosmërinë” në kategorinë e Artë nga BID – Business Initiative Directions (www.bid-euro.com). BID është sot një nga organizatat më të rëndësishme private në botë, e cila vlerëson me çmimin e cilësisë kompani e organizata bazuar në principe të paracaktuara që në vitin 1986. BID ka marrëdhënie profesionale me kompani nga 178 vende të botës, që nëpërmjet aktivitetit të tyre pozicionohen si liderë në treg, duke investuar në risi, teknologji dhe trajnime. Ceremonia e ndarjes së çmimeve u mbajt në Frankfurt më 23 shkurt, në hotel “Inter- Continental Convention Hall” me pjesëmarrjen e një publiku elitar të përbërë nga kompani të mirënjohura, autoritete biznesi, profesioniste të të gjitha fushave dhe media. Construction Albania Enterprise - CAE është themeluar në Shqipëri në gusht të vitit 2007 si një shoqëri me përgjegjësi të kufizuara pas një eksperiencë të gjatë në Itali të pronarit dhe themeluesit të saj, z. Ardi Kollçaku. I suportuar nga një sërë partnerësh ndërkombëtarë Construction Albania Enterprise - CAE sh.p.k. aktualisht është një nga kompanitë liderë në Shqipëri, e cila operon në fushën e ndërtimeve civile e industriale, duke ofruar kështu partnerin serioz dhe të qëndrueshëm për të gjithë investitorët e huaj. Gjatë fjalimit të tij, z. Ardi Kollçaku, President dhe Menaxher i Përgjithshëm i Kompanisë, theksoi se “unë i konsideroj standardet kryefjalën e frymës së re të globalizimit dhe CAE beson tek cilësia me filozofinë e zhvillimit drejt suksesit”. Në deklaratën e dhënies së çmimit tek CAE sh.p.k., Presidenti dhe CEO i BID. Jose E. Prieto theksoi se “vendimi final i marrë nga komiteti selektues “Kontrolli i cilësisë Ndërkombëtare” - IQC për CAE është marrë bazuar në kriteret e përzgjedhjes së parimeve të QC 100 TQM:
Kënaqësia e klientit; Strategjitë e komunikimit; Standarde; Informim dhe Analizim të dhënash; Lidership; Planifikim dhe Vendim-marrje; Burimet Njerëzore; Edukim dhe Trajnim i vazhdueshëm; Procese dhe Prodhime; Rezultate financiare; Rezultate të biznesit; ISO 9000; TQM (Total Quality Management) – Menaxhimi total i cilësisë.
Punonjës të administratës trajnohen për parandalimin e konfliktit të interesave
Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive në kuadër të luftës kundër korrupsionit shpërndau certifikatat për zyrtarët e trajnuar për parandalimin e konfliktit të interesave. Inspektori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, u shpreh se "problematika e trajtuar në seminare, rastet konkrete të ofruara për diskutim dhe pjesëmarrja e lartë, treguan jo vetëm angazhimin e zyrtarëve, por njëkohësisht seriozitetin dhe korrektësinë e Inspektoratit të Lartë gjatë këtij procesi". Sipas tij, Inspektorati i Lartë do të ndjekë në vazhdimësi strategjinë, e cila tashmë ka filluar të konkretizohet, nëpërmjet së cilës ILDKP është i angazhuar të forcojë rolin kontrollues për sa i përket zbatimit të ligjit mbi konfliktin e interesave në institucionet publike, duke aplikuar në këtë mënyrë sanksionet dhe masat shtrënguese të parashikuara në ligj. Nëpërmjet një programi pune 3-javor, ILDKP, në bashkëpunim me OSBE-në dhe Institutin e Trajnimit të Administratës Publike (ITAP) trajnuan rreth 200 zyrtarë të niveleve të ndryshme për parandalimin e konfliktit të interesave. Në fokus të trajnimeve ishin punonjës të Ministrisë së Shëndetësisë, Ministrisë së Arsimit, si dy prej institucioneve qendrore me numër të madh dhe shpërndarje të gjerë punonjësish, si edhe zyrtarë të ALUIZNI-t, Zyrës Qendrore të Pasurive të Paluajtshme dhe Agjencisë Qendrore për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave, si institucione me risk të lartë të rënies në konflikt interesi. Ndërkohë, Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Robert Bosch, u shpreh në këtë takim se politikat parandaluese dhe bashkëpunimi mes institucioneve është një ndër mënyrat më efikase për parandalimin e korrupsionit. "Rritja e ndërgjegjësimit publik të zyrtarëve të administratës publike lidhur me kuadrin ligjor për konfliktin e interesave dhe deklarimin e aseteve është një objektiv strategjik i ILDKP-së", - theksoi Bosch.