E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kosova kërkon hapësirë në portin e Shëngjinit

24/02/2009  Berisha premton bashkëpunim

Qeveria e Kosovës kërkon hapësirë në portin e Shëngjinit për të mundësuar rritjen e qarkullimit të mallrave, pas përfundimit të rrugës Durrës-Kukës që do të lidhë dy vendet tona. Në një takim që ministri i Financave, Ridvan Bode, pati me ministrin e Ekonomisë dhe Financave të Kosovës Ahmet Shala ministrin e Tregtisë dhe Industrisë Lutfi Zharku dhe ambasadorin e Prishtinës në Tiranë Gazmend Pulaj u diskutua mbi këtë çështje dhe probleme të tjera. Ministri Ridvan Bode garantoi homologun e Kosovës Ahmet Shala për krijim të lehtësirave dhe zgjerim të bashkëpunimit në fushën fiskale dhe doganore mes Shqipërisë dhe Kosovës. Në takim ministrat kosovarë i kërkuan ministrit të Financave dhe Qeverisë shqiptare që të shikojnë mundësitë për krijimin e hapësirave të investimeve në portin e Shëngjinit, i cili do të marrë një dimension të ri me përfundimin e rrugës Durrës – Kukës. Ata zhvilluan një takim edhe me kreun e Qeverisë, Kryeministrin Sali Berisha. Përfaqësuesit e qeverisë së Kosovës i dorëzuan Kryeministrit Berisha letrën e Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, për krijimin e një grupi ndërministror të përbashkët për të shqyrtuar procedurat për ndërtimin e një porti në Shqipëri që do të ketë destinacion Kosovën. “Në emër të Qeverisë së Kosovës do të kërkonim që të na krijohej hapësira për të pasur një pjesë në këtë port dhe për të bërë investime si qeveri, me qëllim rritjen e qarkullimit të mallrave dhe qytetarëve nga porti i Shëngjinit pas mundësive të reja që do të krijohen me inaugurimin e rrugës”, – tha ministri Shala. Kryeministri Berisha i uroi mirëseardhjen grupit të ministrave të Kosovës dhe u shpreh se Shqipëria është plotësisht e gatshme që Kosovës t`i akordohet një port për të plotësuar nevojat e saj. Ministri i Financave Ridvan Bode shprehu vullnetin e Qeverisë shqiptare për të gjetur rrugët ligjore për krijimin e kësaj hapësire, duke respektuar edhe kuadrin ligjor evropian. Ministri i siguroi zotërinjtë Shala dhe Zharku se nga ana e saj Qeveria po përqendron investimet në porte, pasi me përfundimin e investimeve të rëndësishme në rrugë do të rritet nevoja për shtimin e kapaciteteve të këtyre porteve. Ministrat folën gjithashtu për rritjen e bashkëpunimit mes administratave përkatëse për të ndihmuar në forcimin e ekonomisë së Kosovës.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›