E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deputetët kalojnë draftin e ligjit për auditimin ligjor

24/02/2009  Dje Komisioni i Ekonomisë

Drafti i përgatitur nga Ministria e Financave për auditimin ligjor, organizimin profesional të ekspertit kontabël dhe të kontabilistit të miratuar ka kaluar dje në Komisionin parlamentar të Ekonomisë dhe Financave. Deputetët diskutuan projektligjin, që sipas ekspertëve të Ministrisë së Financave, është hartuar në vazhdim të reformave institucionale që po ndjek Qeveria në kuadrin e zbatimit të hapave strategjikë të marrëveshjes së stabilizim-asociimit. Ky draft synon standardizimin e auditit ligjor të llogarive të shoqërive tregtare, por edhe mbi mbikëqyrjen publike të profesioneve të audituesve dhe kontabilistëve. “Ky ligj ka për qëllim përmirësimin dhe forcimin e mbikëqyrjes publike të profesionit të ekspertit kontabël të autorizuar si dhe rregullimin e profesionit të kontabilistit të miratuar”, - tha në fjalën e saj drejtoresha e Drejtorisë Juridike pranë Ministrisë së Financave, Lindita Rusmali. Ky draft parashikon dispozitat që rregullojnë auditimin ligjor të pasqyrave financiare vjetore individuale dhe të konsoliduara, organizimin e profesionit të ekspertit kontabël, të shoqërive të auditimit, si dhe profesionin e kontabilistit të miratuar si dhe rregullimin e organizatave profesionale në fushën e kontabilitetit. Gjithashtu, në këtë seancë të komisionit parlamentar është miratuar edhe marrëveshja prej 9.2 milionë dollarësh me IFAD-in për programin “Malet drejt tregut”. Sipas marrëveshjes, katër qarqe në veri të vendit do të përfitojnë një asistencë financiare. Marrëveshja e kredisë prej 9.2 milionë dollarë ka si objektiv zbutjen e varfërisë dhe zhvillimin e qëndrueshëm të zonave rurale malore. “Programi ka për qëllim përmirësimin e kushteve, zgjerimin dhe rritjen e aksesit drejt tregut të të gjitha zonave të pafavorizuara, zonave malore të vendit”, - theksuan ekspertët. Programi do të zbatohet në katër qarqe malore veriore Shkodër, Kukës, Dibër dhe Lezhë, të cilët kanë nivelin më të lartë të varfërisë në vend. Kostoja e parashikuar e programit është 17,9 milionë dollarë, e cila do të jetë një bashkëfinancim i IFAD, me një kredi prej rreth 9.2 milion dollarë dhe një grant prej rreth 400 mijë dollarë. Qeveria shqiptare do të financojë 2.489 milionë dollarë, ndërsa vetë përfituesit do të kenë një financim prej 5.856 milionë dollarë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›