E Shtunë, 31 Tetor 2026

INSTAT: Perimet e patatet shtrenjtohen 30 për qind

Sipas vlerësimit të Institutit të Statistikave, gjatë muajit shtator të këtij viti është vënë re se mallrat e grupit të perimeve, përfshirë patatet, janë 30.1 për qind më të shtrenjta në treg se në të njëjtin muaj të një viti më parë 

TIRANE-Krahasuar me një vit më parë, shqiptarët janë të detyruar të paguajnë 5.3 për qind më shumë para për të njëjtat sasi ushqimi që blejnë në treg. Sipas vlerësimit të Institutit të Statistikave të bërë publik dje, gjatë muajit shtator të këtij viti është vënë re se mallrat e grupit të perimeve, përfshirë patatet, janë 30.1 për qind më të shtrenjta në treg se në të njëjtin muaj të një viti më parë. Ky rekord pasohet nga frutat, të cilat kanë pësuar një rritje çmimi mesatar si grup-mallra në masën 20.7 për qind. Ky është rezultat i padiskutueshëm i politikave të gabuara që u ndoqën vitin e kaluar nga qeveria shqiptare për zhvillimin e sektorit të bujqësisë, në kohën e tregjeve të hapura dhe heqjes graduale të tarifave doganore. Produktet e sheqerit janë shtrenjtuar me 9 për qind, 5 për qind është rritur çmimi i mishit, ndërsa 4.3 për qind më shtrenjtë tregtohet tani peshku, krahasuar me një vit më parë. Në ulje rezultojnë vaji dhe yndyrnat, me 8.6 për qind dhe buka e drithërat me 4.4 për qind, pas rritjes së ndjeshme të çmimeve vitet e kaluara. Tendenca vjetore e inflacionit në muajin shtator ka qenë në kufirin e ulët të synuar nga Banka e Shqipërisë, 2 për qind. Një vit më parë ky ndryshim ishte 2.7 për qind. Gjatë shtatorit, krahasuar me një muaj më parë, indeksi i grupit "Veshje dhe këpucë" shënoi një rritje prej 0.3 përqindësh, ku veçohet rritja e çmimeve të veshjeve për gra me 0.6 për qind, veshjeve për fëmijë me 0.8 për qind dhe këpucëve për gra me 0.6 për qind. Indeksi i grupit "Pije alkoolike dhe duhan" shënoi një rritje mujore prej 0.6 përqindësh, brenda të cilit çmimi i duhanit shënoi një rritje prej 1.3 për qind. Indeksi i grupit "Transport" shënoi një rritje 0.9 për qind. Gjatë muajit shtator çmimi i naftës pësoi një rritje prej 0.2 përqindësh dhe çmimi i benzinës, 0.3 për qind. Indeksi i grupit "Argëtim dhe kulturë" shënoi një rritje 0.8 për qind, ku mund të përmendim rritjen e çmimit të teksteve shkollore me 3.4 për qind. Në grupet e tjera ndryshimet mujore variojnë nga +0.1 për qind në + 0.5 për qind, thekson INSTAT-i.

(d.b/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›