E Shtunë, 31 Tetor 2026

INSTAT: Rritja ekonomike më e ulët se dy tremujorët e mëparshëm

TIRANE- Ekonomia shqiptare është imunizuar nga kriza botërore duke shënuar për të tretin tremujor radhazi një rritje të lartë pozitive. Sipas Institutit të statistikave , gjatë kësaj periudhe produkti i brendshëm bruto është rritur me 4% falë kontributit të dhënë nga degët e post telekomunikacionit, bujqësisë, tregtisë dhe shërbimeve, ndërkohë që industria dhe ndërtimi kanë shënuar rënie. “Përsa i përket degëve kryesore që patën një impakt pozitiv gjatë këtij tremujori ishin post telekomunikacioni, transporti dhe tregtia. Përsa i përket grupit të industrisë shënohet një rënie me rreth 4.5% krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2008. Grupi i ndërtimit shënoi një rënie me 0.7% krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2008 dhe një rënie prej 9.5% krahasuar me tremujorin e dytë të vitit 2009”u shpreh Ledion Shahini, specialist i llogarive kombëtare. Gjatë tremujorit të tretë, sektori i post telekomunikacionit ka shënuar dhe rritjen më të ndjeshme me 34.3% kundrejt të njëjtës periudhë të vitit të kaluar. Sipas INSTAT-it, në këtë rritje kanë ndikuar ofertat që kanë bërë kompanitë celulare për uljen e tarifave të bisedave. Rritja ekonomike e vendit gjatë tremujorit të tretë të këtij viti edhe pse pozitive është më e ulët se ajo e dy tremujorëve të mëparshëm. (e.n/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›