E Shtunë, 31 Tetor 2026

INSTAT: Shpenzojmë 25% më shumë për fruta- perime

TIRANE- Krahasuar me tetorin e një viti më parë, shqiptarët detyrohen të paguajnë 24.8 për qind më shumë për të blerë fruta dhe 22.9 për qind për perimet, përfshirë pataten. Por, paguajmë më pak për bukë e vajra ushqimore.

Të gjitha çmimet e ushqimeve në përgjithësi kanë shënuar rritje, duke i bërë shpenzimet për produkte ushqimore 5 për qind më të shtrenjta mesatarisht.

Një vit më parë, rritja e çmimeve të tyre kishte qenë 4.2%. Nga ana tjetër, sipas llogaritjeve të Institutit të Statistikave, pijet alkoolike dhe duhani janë shtrenjtuar në masën 3.9 për qind, nga 1.5% që llogaritej shtrenjtimi i çmimeve të tyre në nivel vjetor një vit më parë. Ndërkohë, është ulur ritmi i rritjes së grupit të qirave, lëndëve djegëse dhe energjisë elektrike. Çmimet e mjeteve të transportit kanë pësuar një rritje mbi 10 për qind, etj. Ndryshimi vjetor në muajin tetor 2009 është 2.3 për qind. Një vit më parë ky ndryshim ishte 2.8 për qind.

Krahasuar me një muaj më parë vihen re këto luhatje të çmimeve. Indeksi i grupit "Veshje dhe këpucë" shënoi një rritje prej 0.9 për qind, brenda të cilit çmimet e veshjeve u rritën me 1.1 për qind dhe çmimet e këpucëve 0.2 për qind. Indeksi i grupit "Pije alkoolike dhe duhan" shënoi një rritje prej 1.0 për qind, brenda të cilit çmimi i duhanit shënoi një rritje prej 1.7 përqindësh. Indeksi i grupit "Transport" shënoi një rritje prej 0.1 për qind. Gjatë muajit tetor vihet re një ulje e çmimit të karburanteve, dhe konkretisht çmimi i naftës shënoi një ulje prej 1.3 për qind dhe çmimi i benzinës 1.4 për qind. Indeksi i grupit "Shërbimi arsimor" shënoi një rritje prej 2.5 për qind, ku mund të veçojmë rritjen e tarifave të pagesës për universitetet private me 5.4 për qind, bën të ditur njoftimi i Institutit të Statistikave.
(s.g/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›