E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbyllja e tunelit të Kalimashit, ulet fluksi i turistëve kosovarë

DURRËS - Mbyllja e tunelit të Thirrës ka bërë që qyteti i Durrësit të presë më pak nxënës kosovarë të shkollave të mesme, që gjatë fundjavave vijnë për vizitë në këtë qytet turistik. Durrësi frekuentohet prej tyre jo vetëm gjatë verës, por edhe në pjesën tjetër të vitit. Fundjavën që lamë pas erdhën në Durrës vetëm 6 autobusë me nxënës turistë, në një kohë që gjatë periudhës kur ky tunel funksionoi autobusët me të rinj që udhëtonin drejt bregdetit ishin disa herë më shumë. Të rinjtë që ishin në Durrës gjatë ditëve të fundit sqaruan se edhe rruga e vjetër nëpër të cilën ata kishin udhëtuar paraqitej e dëmtuar në mjaft segmente të saj. Për këtë arsye, udhëtimi zgjat shumë dhe është sfilitës për ta. "Këtë fundjavë, kishte disa grupe nxënësish që kishin planëzuar të vinin në Durrës për të kaluar 3 ditë në breg të detit e për të vizituar objektet e lashta kulturore e historike, por për shkak të vështirësive në udhëtim, anuluan nisjen", - pohoi një nga nxënësit e ardhur nga Prishtina, shkruan sot GSH. Ka kohë që ndërmarrja e mirëmbajtjes së rrugëve e ka lënë në harresë rrugën e vjetër, duke harruar se për vetë pozicionin e saj, ajo mbetet rrugë strategjike. Nga ana e tyre, pronarët e hoteleve në plazhin e Durrësit po i kujtojnë me nostalgji ditët e shtatorit e të gjysmës së parë të tetorit, kur lokalet e tyre u frekuentuan, sikurse ndodhi gjatë sezonit të plazhit. Kjo, pasi numri i kosovarëve, kryesisht i gupeve të organizuara të nxënësve e studentëve ishte shumë i madh. Të dhënat teknike flasin se do të kalojë mjaft kohë derisa hyrjet e tunelit të hapen për automjetet, gjë që do të rikthejë në Durrës nxënësit turistë nga Kosova. Ndryshe nga ç'është thënë zyrtarisht, turistët nga Kosova, edhe këtë vit nuk u kanë besuar shumë premtimeve për përmirësimin e infrastrukturës rrugore. Të dhënat e hyrjes së vizitorëve në pikën kufitare të Morinës ishin në rënie, rreth 2% më pak hyrje se e njëjta periudhë e një viti më parë. Po kështu, krahasuar me një vit më parë ka pasur një rënie të numrit të daljeve me rreth 6%.
Pak ditë më parë në tunelin e Thirrës ndodhi shembje. Kreu i Partisë Socialiste kërkoi dje hetim për punime të shpejta në hapjen e tunelit. Sipas qeverisë, vetë ministrit të Transporteve Sokol Olldashi, shembjet kanë ndodhur për efekte gjeologjike dhe kjo nuk mund të parashikohej. Ai sqaroi se shembja ka ndodhur në pjesën e pabetonuar të tunelit dhe cilësoi akuzat e liderit të opozitës si gënjeshtra të turpshme.
(s.g/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›