E Shtunë, 31 Tetor 2026

INSTAT, ekonomia po shënon shifra pozitive

13/04/2010 Raporti

Instituti i Statistikave konfirmon ritmin pozitiv të rritjes ekonomike të vendit gjatë vitit të kaluar, kohë kur ekonomitë rajonale dhe më gjerë u gjunjëzuan si pasojë e krizës. Sipas publikimit më të fundit të INSTAT-it, ekonomia shqiptare u rrit me 3,3 për qind gjatë vitit 2009. Ndonëse ritmi i rritjes është ngadalësuar gjatë fundit të 2009-ës, krahasuar me muajt e parë të vitit apo dhe më 2008-ën, ekonomia shqiptare vijoi të regjistrojë shifra pozitive të prodhimit të brendshëm bruto. Sipas Ledion Shahinit, përgjegjës për llogaritë kombëtare pranë INSTAT-it, “ekonomia në tremujorin e katërt të vitit 2009 u ul me 0.8 për qind krahasuar me tremujorin e katërt 2008. Viti 2009 mbështetur mbi informacionet tremujore shënoi një rritje prej 3.3 për qind krahasuar me vitin 2008. Ndërsa krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2009 ka pësuar një rënie me 2.4 për qind". Gjatë 3-mujorit të fundit të 2009-ës, sipas INSTAT-it, rritja më e madhe i takon sektorit të postë- komunikacionit me 8.3 për qind përkundrejt tremujorit të katërt të 2008-ës. Rritje gjatë kësaj periudhe ka njohur edhe sektori i tregtisë me 7.2 për qind, transporti me 3 për qind dhe bujqësia me 1,7 për qind.

Sektorët

Sektori i ndërtimit dhe industria kanë regjistruar rënien më të lartë sipas shifrave të INSTAT-it, me respektivisht 14.4 dhe 4.1 për qind. Këta dy sektorë janë edhe më të goditurit nga kriza ekonomike.

Konsumatorët

Përket konsumatorëve, rritja ekonomike prej 3.3% duket se nuk është përkthyer në një përmirësim të jetesës së tyre, për shkak të shtrenjtimit të produkteve bazë. Rritja e pagave dhe pensioneve duket të jetë zhvlerësuar me inflacionin vjetor.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›