E Diel, 1 Nëntor 2026

Trojet shtetërore, privatizimi me bono deri më 30 qershor

13/04/2010 Personat që kanë blerë godinat mund të paguajnë 50% të vlerës së tokës me bono

Pronarët e ish-godinave shtetërore që nuk kanë blerë ende truallin mund të realizojnë këtë proces deri në datën 30 qershor duke paguar 50 për qind të vlerës me bono privatizimi. Sipas vendimit të Këshillit të Ministrave të gjitha subjektet, të cilat kanë privatizuar objekte apo ndërmarrje, por që nuk kanë privatizuar sipërfaqen e truallit, sipas gent-planit që i bashkëlidhet dokumentacionit të privatizimit duhet ta blejnë këtë truall deri më 30 qershor 2010. Këto subjekte duhet të kenë paguar qiranë e truallit rregullisht, deri në pagesën e vlerës së plotë të çmimit të truallit, brenda afatit të përcaktuar në këtë pikë. Për të ndihmuar në realizimin e këtij procesi, është përcaktuar se trualli që privatizohet konsiderohet sipërfaqja nën objekt dhe sipërfaqja funksionale rreth tij, e përcaktuar sipas gent-planit të objektit që është pjesë e dokumentacionit të privatizimit që përgatit Komisioni i Vlerësimit të Ndërmarrjes. Kur objekti është me dy a më shumë kate dhe në të ka disa pronarë, atëherë shitja e truallit në bazë të kërkesës së tyre për çdo pronar bëhet në bashkëpronësi të pandashme mes pronarëve të objektit. Sipas vendimit në fjalë, ata që kanë privatizuar ndërmarrjet shtetërore, të cilat operojnë në territore të miratuara si zona ekonomike dhe industriale, do ta blejnë truallin ku është vendosur ajo, sipas vlerës së hartës së tokës miratuar në nëntor të vitit 2008. Qeveria e ka ndryshuar skemën për privatizimin e këtyre trojeve, ku në bazë të vendimit të ri të gjithë ata që duan të marrin në pronësi truallin duhet të paguajnë 50 për qind të vlerës së tij në lekë dhe pjesën tjetër në bono privatizimi. I njëjti çmim do të aplikohet si për sipërfaqen që ndodhet nën objektin e privatizuar, ashtu dhe për atë që është në funksion të objektit, pavarësisht raportit midis tyre. Nga ky vendim do të preken të gjithë ata që kanë privatizuar ndërmarrje shtetërore në territore, të cilat me vendim të Këshillit të Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë janë cilësuar si zona industriale.

Shitja

Pavarësisht se pagesa me bono privatizimi për legalizimin e objekteve të ndërtuara pa leje sapo ka filluar interesi i qytetarëve për blerjen e tyre në treg është ende. Kjo mungesë interesi ka bërë që vlera e bonove të shënojë menjëherë ulje dhe dje të vlerësoheshin me vetëm 11 për qind. Megjithatë, duket se kambistët janë optimistë për një rritje të vlerës së tyre në treg, pasi gjatë këtyre ditëve janë miratuar edhe emrat e parë të personave që u është miratuar kërkesa për pagesën e truallit me bono privatizimi. Si rrjedhojë kjo procedurë e re do të sjellë rritje të kërkesës në treg dhe vetë kambistët parashikojnë që vlera e shitjes së këtyre letrave me vlerë të arrijë të paktën në nivelin 20 për qind. Nga ana tjetër ka filluar edhe rishpërndarja e bonove të depozituara në kompanitë riinvestuese, çka do të thotë se në treg do të ketë sasi të mëdha.

Ish-pronarët, ja procedurat e reja për privatizimin e objekteve

Të gjithë pronarët, të cilët duan të blejnë objektet shtetërore që janë ndërtuar mbi pronat e tyre do të mund t’i paguajnë ato me bono privatizimi. Ligji i privatizimeve u jep mundësi subjekteve të shpronësuara që të përdorin bonot për deri në 80 për të vlerës së objektit, ndërkohë që pjesa tjetër, pra 20 për qind do të paguhet me para në dorë. Kjo mënyrë parashikon që të favorizojë subjektet e shpronësuara si dhe të ndikojë në rritjen e vlerës së bonove në tregun valutor. Aktualisht, mësohet se janë rreth 300 komisione të ngritura në të gjithë vendin që po merren me vlerësimin e ndërmarrjeve dhe objekteve që do të përfshihen në procesin e privatizimeve. Krahas kësaj pune, të gjitha ministritë janë duke përgatitur listat me asetet e pavëna në eficencë nga institucionet shtetërore, nga të cilat do të dalë edhe lista konkrete me objektet për privatizim. Ministria e parë që e ka dorëzuar këtë listë ka qenë ajo e Mbrojtjes, ku janë të paktën 420 objekte që do të privatizohen.

Legalizimet me bono, qytetarët duhet të plotësojnë formularët

Të gjithë ata persona që duan të legalizojnë objekte informale me funksion banimi, apo të përzier, dhe që pagesën duan ta bëjnë me bono privatizimi, duhet të paraqesin një kërkesë pranë Drejtorive rajonale të ALUIZNI-t. Në të qytetarët duhet të përcaktojnë saktë masën e pagesës që do të shlyhet me bono privatizimi. Më pas, ALUIZNI do të shqyrtojë çdo kërkesë për shlyerje me bono, duke lehtësuar kështu procedurat për qytetarët. Afati i paraqitjes së kërkesave për këtë kategori të interesuarish është nga sot deri në përfundim të procesit të legalizimeve. Në një njoftim për shtyp, Agjencia e Legalizimeve bën me dije se ka filluar zbatimi i ndryshimeve që iu bënë ligjit disa javë, të cilat u diskutuan gjerësisht para miratimit. Këto ndryshime që tashmë do të zbatohen në praktikë nga Agjencitë e Legalizimeve në të gjithë vendin, pritet që të përshpejtojnë procesin.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›