E Diel, 1 Nëntor 2026

Tatimet, jo më presion mbi biznesin

13/04/2010 Deklarata

Administrata tatimore është e angazhuar deri në fund të shërbejë për tatimpaguesit pa ushtruar represion mbi to. Kështu deklaroi Drejtori i përgjithshëm i Tatimeve, Artur Papajani, gjatë një seance trajnimi për hetimin tatimor që zhvillohet nga ekspertë amerikanë. Sipas zotit Papajani, administrata fiskale është e angazhuar në zbatimin e ligjit tatimor duke përdorur analizën e riskut. "Ne po punojmë fuqishëm me partnerët tanë brenda vendit, Prokurorinë e Përgjithshme, me strukturat e krimit ekonomik, me strukturat që luftojnë kundër pastrimit të parave, për përmirësimin e dispozitave penale për evazionistët. Vetëm për evazionistët, absolutisht jo për të tjerat. Por, unë duhet të deklaroj hapur, objektivi ynë në të ardhmen kur nuk do të jetë represioni", deklaroi dje Artur Papajani, drejtor i DPT. Trajnimi është pjesë e mbështetjes financiare që po merr administrata shqiptare nga programi prag i korporatës së Sfidës së Mijëvjeçarit që administrohet nga USAID. Pikërisht në kuadër të rindërtimit të këtyre marrëdhënieve, vetëm pak ditë më parë edhe pse kishte përfunduar afati i deklarimeve on line, administrata tatimore i ka kërkuar Ministrisë së Financave që ndaj këtyre tatimpaguesve të mos vendosen penalitete, përderisa mënyra e deklarimit online është përdorur për herë të parë këtë muaj. Nga ana e tij, ky institucion ka shprehur falënderim për të gjithë tatimpaguesit, të cilët me gjithë vështirësitë teknike që kanë hasur, realizuan përmbushjen e këtij detyrimi, duke realizuar dërgimin në mënyrë elektronike të librave të shitjes dhe blerjes.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›