E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria po ndryshon, po shqiptarët?!



Nga Nebil Çika

“Shqipëria po ndryshon”, slogani më shumë se elektoral i PD-së për zgjedhjet e 28 qershorit, duket nga më realistët, më të prekshmit, nga më të materializuarit. Qeveria vjen në këtë garë elektorale më e motivuar se kurrë për të kërkuar rivotim nga elektorati shqiptar, pasi realiteti që ajo ofron si kartë elektorale, krijon vetvetiu komoditetin në fushatë dhe epërsinë ndaj kundërshtarëve të majtë. Zhvillimi ekonomik, investimet në infrastrukturë, arritjet spektakolare në procesin e integrimit euroatlantik, mbajtja e ekonomisë jashtë krizës globale, reformat e të tjera janë të mjaftueshme për të argumentuar suksesin e qeverisjes gjatë këtij mandati. Mirëpo, nëse është i vërtetuar fakti që Shqipëri po ndryshon, nuk mund të thuhet me siguri një gjë e tillë për shqiptaret, që në qershor do të jenë gjykuesit e këtij ndryshimi e natyrisht, edhe vendimmarrësit për vazhdimësinë apo jo të këtij projekti. Për shkak të shumë arsyeve shumica e shqiptarëve nuk e kanë kulturën e duhur demokratike për t’u orientuar në mënyrë të pavarur drejt vlerave dhe zgjedhjeve pozitive edhe në momente ku prej tyre varet e ardhmja e tyre dhe e familjeve të tyre. Kam përshtypjen se edhe këto zgjedhje do të karakterizohen nga militantizmi dhe polarizimi, të ndihmuar edhe nga ligji elektoral, i cili stimulon dukshëm dominimin e dy partive kryesore. E gjithë vështirësia është tek mënyra se si arritjet apo alternativat politike do t’i serviren elektoratit, i cili ndodhet nën presionin e propagandave elektorale respektive, ku epërsinë natyrshëm e ka opozita. Me mungesën e përgjegjësisë së qeverisjes do të fokusoja fushatën tek premtimet nga më fantastiket për të cilat ka një përvojë të konsiderueshme. Janë të gjitha gjasat që shumica e premtimeve elektorale të së majtës të jenë mashtrime, strategji kjo e përdorur jo pa sukses në të gjitha fushatat e deritanishme. Për nga natyra qenia njerëzore, në veçanti ajo shqiptare, është e prirë drejt sipërfaqësores, premtimeve për përfitime, pavarësisht mundësisë së realizimit të tyre. Qeveria është përballë një opozite mjeshtre e demagogjisë dhe manipulimit të opinionit publik, gjë që e ka aplikuar me sukses disa herë. Propaganda është karakteristikë e së majtës ndërkombëtare, gjë që shprehet dukshëm tek numri i madh i mediave që ato kontrollojnë. Një realitet i tillë në Shqipëri është i zbatuar në mënyrë ekstreme. Aktulisht, opozita e majtë futet në zgjedhje me mbështetjen e shumicës dërrmuese të mediave, gjë që nuk mund të nënvleftësohet nga mazhoranca deficitare në këtë pikë. Mediat në realitetin shqiptar janë shumë përcaktuese për shkak të oportunitetit që ofron ndikimi i demagogjisë tek shoqëria postdiktatoriale shqiptare. Dua të kujtoj mosreagimin e elektoratit shqiptar pas mashtrimit të madh të ish-kreut socialist Nano në 97-n për kthimin 100% të parave të humbura në firmat piramidale (mori edhe një mandat tjetër qeverisës). A ka gjasa që një pjesë e elektoratit shqiptar të bjerë pre e mashtrimeve propagandistike të së majtës? Unë them po. Këtë situatë duhet ta dijë edhe e djathta, fushata e së cilës duhet të synojë shpjegimin e efekteve tek jeta e qytetarëve të qeverisjes së saj. Të majtët arritën ta kthejnë çështjen e letërnjoftimeve në një problem politik, duke e lidhur vetëm me të drejtën e votimit, ndërkohë që ajo është në thelb një shërbim ndaj qytetarëve. Do të mjaftonte evidentimi publik i fakti se pajisja me këtë dokument i shpëton shqiptarët nga ferri i certifikatave që të kërkohen në çdo zyrë, brenda e jashtë vendit, për të zhvleftësuar përpjekjet për politizim të këtij procesi nga opozita. Nëse ti i thua një 18-vjeçari merre letërnjoftimin se pa të nuk mund të votosh, jam i bindur se nuk do t’ia ndiejë fare. Por nëse i thua se të duhet vetëm ky dokument për t’u papritur n’ çdo zyrë shtetërore e publike, natyrisht që do të reagojë. E mora këtë shembull, pasi pjesa e shoqërisë më e ekspozuar ndaj manipulimit propagandistik janë në mënyrë të veçantë moshat e reja, që përbëjnë edhe pjesën më luajale të elektoratit shqiptar. Duam apo nuk duam ne, është shumë më e vështirë të tërheqësh vëmendjen e kësaj gjenerate me efektet ekonomike e shoqërore të rrugës Durrës – Kukës apo rëndësinë e antarsimit në NATO ndërkohë që mund ta bësh këtë lehtësisht me një foto nudo apo me një këngë hip-hop të një politikani karagjoz. Si përfundim, mendoj se beteja elektorale do të përqendrohet pikërisht tek mundësia për të çuar në mendjen e njerëzve realitetin “Shqipëria po ndryshon”. Kjo, natyrisht, bëhet e vështirë për të djathtën, po të kemi parasysh mundësitë e kufizuara mediatike të saj përballë një elektorati të edukuar në masë me demagogji dhe të prirë të besojë çdo lloj gënjeshtre të njëjtë apo të përafërt me gënjeshtrën komuniste “do hamë me lugë floriri” pasojën e së cilës na u desh ta duronim për 50 vjet. Ky popull e harron shumë shpejt të keqen, gjë që e bën të vështirë, por jo të pamundur ndryshimin e funksionimit politiko-shoqëror të tij. Këto zgjedhje janë para së gjithash një test për shqiptarët. A kanë ndryshuar bashkë me Shqipërinë edhe ata? Për ta ditur këtë, duhet të presim 28 qershorin. Nëse po, ky do të jetë suksesi më i madh i qeverisë dhe krejt politikës progresiste shqiptare.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›