INSTAT, inflacioni në mars 1.6 për qind
Inflacioni në muajin mars ka shënuar nivelin e 1.6 për qind. Sipas Institutit të Statistikave, niveli i inflacionit në muajin mars ka shënuar një rritje prej 0.6 për qind, krahasuar me muajin shkurt. Por një vit më parë inflacioni ishte 4.6 për qind, si rrjedhojë kryesisht e rritjes së çmimit të energjisë elektrike në muajin mars 2008. Për periudhën mars 2008 - mars 2009, çmimi i energjisë elektrike nuk ka pësuar ndryshime. Ky mosndryshim çoi kryesisht në uljen e vlerës së inflacionit vjetor në muajin mars 2009, në vlerën 1.6 për qind, duke qenë kështu poshtë cakut prej 2 për qind të vendosur nga Banka e Shqipërisë dhe qeveria. Sipas të dhënave nga INSTAT, gjatë muajit mars indeksi i grupit “Ushqime dhe pije jo alkolike” shënoi një rritje prej 1.4 për qind, me një ndikim prej 0.5 për qind në totalin e ndryshimit mujor. Gjatë muajit mars, çmimet në disa nëngrupe të tjera të grupit të ushqimeve shënuan ulje, si “vajra dhe yndyrna “ 1.3 për qind. “qumësht djath e vezë” 0.3 për qind, dhe “bukë e drithëra” 0.2 për qind, etj. Indeksi i grupit “Pije alkolike dhe duhan” shënoi një rritje prej 0.2 për qind, brenda të cilit çmimet e pijeve alkolike u rritën me 0.4 për qind. Gjatë majti mars çmimet e veshjeve dhe të këpucëve kanë pësuar rënie. Ndërkohë që çmimi i naftës është rritur me 3.0 për qind, çmimit të benzinës me 0.6 për qind.