E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pagat e pensionet, Rama: Berisha të dëgjojë FMN-në

 

Aristir Lumezi

Partia Socialiste i bëri dje apel Kryeministrit Berisha të dëgjojë mirë mesazhet që vijnë nga FMN-ja në lidhje me krizën ekonomike që po preket vendi. Kryetari socialist, Edi Rama, i kërkoi kryeministrit të mos bëjë gabimet e së shkuarës me institucionet ekonomike ndërkombëtare. “Unë i bëj sot apel kryeministrit të mos përsërisë gabimin historik të pragvitit ’96, kur nuk i dëgjoi kambanat e FMN-së e të Bankës Botërore dhe t’i dëgjojë thirrjet tona të përsëritura për të kthyer buxhetin në realitet, për të pranuar rënien ekonomike, për të mos rritur shkallën e rrezikut, duke thelluar borxhin për shpenzime të papërgjegjshme elektorale, për të mos aplikuar paga reference e gjoba abuzive mbi biznesin dhe për të mos rrënuar themelet e shtetit të të gjithëve për interesat e pushtetit të disave”, tha Rama dje gjatë një konference për shtyp. Rama tha dje se mesazhet e FMN-së janë të qarta dhe duhen vlerësuar mirë. “Duke i rënë më fort se asnjëherë tjetër kambanës së alarmit për Qeverinë shqiptare, Fondi Monetar Ndërkombëtar ka lënë të kuptohet qartësisht se ecja kokëfortësisht më tej në rrugën e mohimit të krizës, me gërshërë që nga njëra anë presin shirita investimesh të zbuluara financiarisht, kurse nga ana tjetër shkurtojnë financimin e sigurimeve shoqërore, është një marshim drejt një hendeku tejet të rrezikshëm”, tha Rama. Kryetari socialist duke dhënë një tablo të plotë të situatës ekonomike të vendit, shprehu gatishmërinë për bashkëpunim me qeverinë për të parandaluar efektet e krizës ekonomike. “Ne nuk duam të vëmë kujën që të alarmojmë shqiptarët e të nxisim konfuzionin e pasigurinë për përfitime elektorale, po duam të bashkëpunojmë e të kontribuojmë që kriza të mos i bëjë vendit e njerëzve dëme të tepërta për shkak të një keqmenaxhimi qeverisës, që vjen nga etja për pushtet në prag zgjedhjesh”, tha Rama. Kryetari socialist përveç akuzave për papërgjegjshmëri të qeverisë dhe apelit ndaj kryeministrit, propozon dhe masa konkrete që duhen marrë për zbutjen e efekteve të krizës ekonomike në vend. “Së pari, buxheti të mos shihet më si një thes, ku futen duart për të bërë shpenzime me qëllim elektoral, por si pasuri e përbashkët që duhet administruar me kujdes. Së dyti, Qeveria duhet të pranojë rënien ekonomike, si efekt i krizës globale, por që nuk duhet të dalë jashtë kontrollit. Së treti, është e domosdoshme të mos thellohet borxhi i përbashkët për shpenzime të cilat janë sot të domosdoshme të frenohen. Së katërti, është e domosdoshme të mos aplikohen pagat e referencës, të cilat po e asfiksojnë pagën, dhe të ndalohen masa drastike për barrat fiskale ndaj bizneseve”, propozoi Rama. Kryetari i Partisë Socialiste e mbylli deklaratën e tij për shtyp, duke shtuar se PS-ja po paralajmëron për krizën dhe nuk do të mbajë asnjë përgjegjësi. “Ju siguroj se e bëj me përgjegjshmëri absolute për të administruar këtë proces në funksion të përballimit të krizës. Por nuk marrim asnjë përgjegjësi nga kjo krizë”.

Propozimet e PS për zbutjen e krizës

    Buxheti të mos shpërdorohet, por të administrohet me kujdes

    Qeveria duhet të pranojë rënien ekonomike, të ketë kujdes që kriza të mos dalë jashtë kontrollit

    Të mos thellohet borxhi i përbashkët për shpenzime të cilat janë sot të domosdoshme të frenohen

    Të mos aplikohen pagat e referencës, të cilat po e asfiksojnë biznesin dhe sipërmarrjen

    Të merren masa drastike për të shmangur gjobat abuzive ndaj biznesit

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›