Kriza, qeveria lehtëson bizneset eksportuese
Fabiola Çela
Biznesi do të ketë tre muaj kohë për të regjistruar në skemën e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore punonjësit e tyre. Vendimi është marrë dje nga Këshilli i Ministrave, pas kërkesës së bërë nga eksportuesit. Sipas vendimit të mëparshëm, biznesi dhe kryesisht biznesi fason kishte një muaj kohë për të regjistruar punonjësit e tyre të rinj. Por pak kohë më parë, ata i kërkuan qeverisë që ta zgjasë afatin e futjes në skemën e sigurimeve të punonjësve të rinj, kërkesë e cila u plotësua.
Projektvendimi
Në projektvendimin e miratuar dje nga qeveria plotësohet një nga kërkesat e punëdhënësve ndaj qeverisë. Në një deklaratë për media, të dhënë pak kohë më parë, fasonistët i kishin kërkuar qeverisë që të mos paguanin sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore të plota për punonjësit e rinj, të pakualifikuar. Sipas vendimit të mëparshëm, biznesi kishte vetëm një muaj kohë për të kualifikuar për punë këta punonjës dhe pas këtij muaji punonjësit duhet të bëheshin pjesë e skemës së sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore. Por sipas biznesit, ky afat ishte i pamjaftueshëm për ta, ndaj i kërkuan qeverisë që ta zgjasë këtë afat. “Projekti parashikon plotësimin e kërkesave të punëdhënësve, duke zgjatur periudhën e formimit profesional nga një në tre muaj, duke mos lejuar që për këtë periudhë për këta punonjës të rinj të pakualifikuar të derdhen kontribute vetëm për degën e aksidenteve në punë e sëmundje profesionale, në shumën 0.5 për qind të pagës. Ndërkohë, pas përfundimit të periudhës tremujore të trajnimit, punonjësit kalojnë me statusin e të punësuarit me të drejta të plota”, thuhet në relacionin e projektvendimit të miratuar dje nga Këshilli i Ministrave. Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, si dhe Ministria e Drejtësisë janë shprehur dakord ndaj këtij projektvendimi të hartuar nga Ministria e Financave.