E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Parlamenti, urgjentisht një plan kombëtar antikrizë

 

Kreu i LSI-së i kërkoi dje Parlamentit të diskutojë urgjentisht një plan kombëtare antikrizë. Duke iu referuar deklaratave të FMN-së dhe Bankës së Shqipërisë rreth krizës ekonomike, Meta i kërkoi kryeministrit ta njohë situatën dhe të veprojë me shpejtësi. “Prezenca e krizës ekonomike në vendin tonë është një fakt që e kemi konstatuar dhe paralajmëruar prej disa muajsh. Ndaj kemi propozuar dhe planin tonë për ta përballuar këtë krizë në rritje. Tashmë kjo krizë është konfirmuar, jo vetëm nga Banka e Shqipërisë, por edhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe nga institucione të tjera ndërkombëtare. Por, këtë realitet nuk e njeh vetëm Kryeministri Berisha dhe Qeveria e tij, për arsyen e vetme se janë të detyruar të vazhdojnë me premtime dhe mashtrime vetëm për qëllime elektorale”, tha Meta. Sipas tij, nisur nga këto konkluzione të institucioneve ekonomike ndërkombëtare, “Lëvizja Socialiste për Integrim kërkon që Parlamenti të diskutojë urgjentisht një Plan kombëtar antikrizë, në mënyrë që pasojat sociale dhe ekonomike të kësaj krize që ka përfshirë vendin tonë dhe që po thellohet çdo ditë, të mos jenë të pakontrollueshme për qytetarët e vendit dhe për ekonominë tonë kombëtare”. Meta i kërkoi qeverisë të mos rrisë shpenzimet elektorale. “Qeveria duhet të ketë parasysh se përballimi i krizës dhe zhvillimi i qëndrueshëm i vendit janë shumë herë më të rëndësishme sesa shpenzimet e saj për qëllime elektorale. Prandaj, duhet të reagojë me përgjegjshmëri sa më shpejt, në mënyrë që efektet e kësaj krize të mos rëndojnë akoma më tej mbi qytetarët e vendit dhe përpara se të jetë vonë”, tha Meta.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›