Rama në Skrapar: “Do të ndryshojmë realitetin në zonat rurale”
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, prezantoi programin e ri qeverisës në fshatin Vërzhezhë të Skraparit dhe premtoi se qeveria e re socialiste do të krijojë të gjitha kushtet që fshati shqiptar të mund të zhvillohet, që banorët e fshatit të mund të gëzojnë të gjithë të drejtat që u takojnë, si qytetarë të lirë e të barabartë të këtij vendi. Rama premtoi se socialistët do të bëjnë hapin e madh për të ndryshuar realitetin në zonat rurale. “Ne do të bëjmë hapin e parë, një ndryshim radikal qysh në formimin e qeverisë: do të ngremë një ministri të posaçme vetëm për fshatin, sepse ne mendojmë që fshati nuk është thjesht bujqësi, nuk është thjesht një rrugë për të dalë në xhadenë kryesore. Fshati është një pjesë e pandashme, e patjetërsueshme, e pazëvendësueshme e Shqipërisë ku jetojnë qindra e mijëra qytetarë e qytetare që kanë liri e të drejta të barabarta”, - tha kreu i PS-së Edi Rama.
Meta në Pogradec: “Ne, program të qartë për hapjen e 100 mijë vende të reja pune”
Lëvizja Socialiste për Integrim zhvilloi dje një miting madhështor në Pallatin e Sportit të qytetit të Pogradecit. Në këtë takim merrte pjesë edhe lideri i LSI-së, Ilir Meta, i shoqëruar nga sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Petrit Vasili dhe drejtuesit lokalë të kësaj force politike. Gjatë fjalës së tij në këtë takim Meta theksoi se LSI-ja hyn në këto zgjedhje me programin më të qartë, më realist, më konkret, i cili nga fillimi dhe deri në fund ka si kryeprioritet punësimin e shqiptarëve. Ai tha se programi i LSI-së për punësimin synon hapjen e 100 mijë vendeve të reja të punës. “Ndaj ne kemi të qartë në programin tonë hapjen e 100 mijë vendeve të reja pune për shqiptarët në katër vitet e ardhshme, përmes programeve tona ekonomike, fiskale arsimore, përmes një programi shumë të qartë dhe mirëstudiuar për të nxjerrë bujqësinë nga kriza, e cila sot është në një kolaps të plotë”, - tha Meta.
Blushi: “Do të mundim varfërinë dhe mjerimin”
Anëtari i Kryesisë së Partisë Socialiste, Ben Blushi, ka qenë në fshatin Pocestë të Korçës, ku prezantoi programin qeverisës për zhvillimin e fshatit. Në takim Blushi tha se Partia Socialiste është e angazhuar që fshati të mos mbetet në varfëri. Blushi tha se programi i Partia Socialiste përmban shumë lehtësira për fshatin. Deputeti socialist tha se ky program synon zhdukjen e varfërisë dhe mjerimit në Shqipëri. Blushi tha se shqiptarët duhet të mbështesin programin që synon ndërtimin e Shqipërisë europiane. “E majta shqiptare synon të favorizojë ata që kanë më shumë nevojë dhe ata që janë më të varfër. Ndaj projekti ynë është të mundim varfërinë duke mos e torturuar fshatin, por duke i dhënë punë dhe duke i mbështetur. Ka ardhur dita për të mbështetur një projekt i cili synon ta bëjë Shqipërinë europiane”, - u shpreh Blushi në fjalën e tij drejtuar banorëve.
9 Maj 2009